Presidenti i Sllovenisë: Shtyrja e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor në BE mund të shoqërohet me pasoja

Në Bled të Sllovenisë po mbahet  Forumi Strategjik ku marrin pjesë kryeministra dhe presidentë të BE-së dhe liderë nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Në takimin e organizuar nga Sllovenia, e cila është kryesuesja e radhës e BE-së, presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, kërkoi që Bashkimi Europian të bëjë më shumë për intergrimin sa më të shpejtë të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në Union, në të kundërt tha ai, çdo vonesë apo zvarritje mund të shoqërohet me pasoja të padëshiruara si për Ballkanin ashtu dhe BE.

Pahor: Ballkani Perëndimor është pjesë e Europës dhe duhet të jetë në gjendje të angazhohet në diskutimet që lidhen me të ardhmen e saj. Do të doja të theksoja se do të ishte gjëja e duhur dhe në përfitim të BE dhe Ballaknit Perëndimor nëse të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të anëtarësoheshin në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Vonesa apo shtyrja e zgjerimit mund të sjellë pasoja të paparashikuara dhe dhe të padëshiruara për të dyja palët.

Së dyti, interesi gjeopolitik në zgjerimin e BE është i ndërsjellë. BE ka apo duhet të ketë interes gjeopolitik në zgjerimin e tij drejt Ballkanit Perëndimor dhe vendet e Ballkanit Perëndimor kanë apo duhet të kenë interes gjeopolitik për tu anëtarësuar në BE. Së treti, përgjegjësia për zgjerimin është po kështu e ndërsjelltë. BE duhet të këmbëngulë me vullnet të fortë politik për zgjerimin e tij drejt Ballkanit Perëndimor si një përparësi dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të dëshmojnë një gadishmëri më të madhe për t'ia përshtatur rendin e tyre ligjor rendit të BE, të përqafojnë vlerat e tij themelore dhe të zgjidhin konfliktet mes tyre. Së katërti, zgjerimi i BE po bëhet gjithnjë e më tepër çështje kohe, ritmi i ngadaltë i procesit ka së paku katër pasoja negative qoftë për vetë Unionin, ashtu dhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.

a-Dobëson besimin e ndërsjelltë

b-Ngadalëson procesin e reformave

c-Çon në rritjen e nacionalizimit

d-Hap hapësirë për ndikimin e të ashtuquajturave vende të treta

Ndalimi i procesit të zgjerimit amplifikon idetë naive dhe për mua të rrezikshme për ndryshimin e kufijve. Unë besoj vendosmërisht që kufijtë e rinj nuk mund të përvijohen sërish në mënyrë të paqtë dhe kjo është një deklaratë e imja mjaft e vendosur. Vetëm zgjerimi i shpejtë i BE drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor mund të forcojë parimin e integritetit territorial e kësisoj sigurinë e rajonit dhe gjithë BE.

Së pesti, unë besoj se në strategjinë e vet të zgjerimit BE duhet ta shohë Ballkanin perëndimor si të tërë dhe jo pjesë të veçanta siç po ndodh tani, kjo megjithatë për të shmangur keqkuptimet nuk nënkupton se nuk duhet të reshtë së negociuari me qeveritë apo vendet e posaçme për ecurinë e tyre gjatë anëtarësimit. Kjo nënkupton vetëm që BE dhe shtetet anëtare duhet të bëjnë më shumë që procesi i zgjerimit të prodhojë ndikim pozitiv në bashkëpunim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor.Këto vende duhet ta shohin procesin e zgjerimit si një stimul për bashkëpunim dhe jo për konkurrencë. Së gjashti, rajoni i Ballkanit Përëndimor duhet vetë të bëjë përpjekje më të mëdha për tu bërë më tërheqës e për këtë qëllim unë kam mbështetur vendosmërisht të ashtuquajturën nismë të Ballkanit të Hapur qysh prej prezantimit të saj në Novisad nja dy vjet më parë. Unë jam mjaft i vetëdijshëm për pikëpamjet e ndryshme në lidhje me këtë çështje por jam i bindur se nisma ecën paralelisht me procesin e anëtarësimit të këtyre vendeve në BE dhe e mbështet atë. Unë nuk do të flisja kurrë në favor të kësaj nëse do të mendoja që do të ishte alternativë kundrejt BE.

Nisma Ballkani i Hapur sipas meje ka potencial të madh për të përshpejtuar proceset e bashkëpunimit politik dhe ekonomik midis vendeve të rajonit që do të çojnë në zhvillimin e tyre më të shpejtë dhe do të rrisë karakterin e tyre tërheqës për BE. Duke u folur edhe njëherë disa prej udhëheqësve të rajonit, më lejoni tu them se e di shumë mirë që ka pikëpamje të ndryshme karshi kësaj nisme por më lini të pohoj qëndrimin tim të vendosur që është një prej atyre ideve të rralla dhe shumë konstruktive sesi duhet vazhduar, si duhet vazhduar sëbashku dhe në mënyrë të qartë. Së shtati, për momentin negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë kanë hasur në ndalesë, procesi nuk është më politik, situata është shndërruar në një shqetësim moral për BE.

Çfarë ka bërë Maqedonia e Veriut për perspektivën europiane? Gjithçka e më shumë se aq.Çfarë ka marrë në këmbim? Asgjë dhe më pak se kaq. Integriteti i BE po sfidohet rëndë. Po përpiqem të them se zgjerimi i BE nuk është përparësi për momentin duke pasur parasysh problemet në vetë union dhe përtej. Megjithatë një përpjekje e përgjithshme për të shënuar ecuri në negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë duhet të mbetet përparësi derisa kjo çështje të përmbyllet.

Së teti, lidhur me zgjerimin e BE drejt Ballkanit Perëndimor, Bosnje Hercegovina përbën një sfidë të posaçme për një sërë arsyesh. Bashkësia ndërkombëtare duket se është mjaft e kënaqur kur vendi është në paqe por mendoj se BE duhet ti drejtojë edhe njëherë pyetjen vetes sesi mund të kontribuojë për Bosnje Hercegovinën dhe ecurinë e saj. Lidhur me perspektivën europiane, Brukseli duhet të ndërmarrë një qasje më politike në vend të një qasjeje më teknike e burokratike. Duhet pranuar që autoritetet e Bosnje Hercegovinës mbajnë një përgjegjësi të madhe për këtë por nuk flas për një tkurrje të përgjegjësive.

Ajo çfarë është në diskutim është nëse interesi ynë aty është një vullnet i mirëfilltë politik dhe ka ardhur koha të bëjmë diçka. Besoj se BE ka kapacitete të mjaftueshme për tu marrë me zgjerimin drejt Ballkanit Perëndimor në mënyrë më intensive pavarësisht të gjithë çështjeve të tjera tematike që ka nëpër duar. Le të mos e shndërrojmë Ballkanin Perëndimor në një mundësi të ngrirë për BE. Dikush, ndoshta dhe në këtë sallë, mund të mendojë se Ballkani Perëndimor nuk është më shumë sesa thjesht një problem, ndoshta në njëfarë mënyrë është. Por po kështu mendoj se është një mundësi e shkëlqyer, mendoj se është një mundësi e shkëlqyer për BE, mendoj se ka ardhur koha për ta parë tërë rajonin ashtu siç është dhe të përpiqemi të bëjmë maksimumin për ta sjellë rajonin në BE. E di që është e vështirë nga të dyja anët por me një vullnet të vendosur politik mendoj se është e bëshme, le të bëjmë më të mirën tonë.