Shkelen masat anti-covid, në shkollat e Elbasanit nuk po zbatohet protokolli i ISHP
Udhëzimi i Institutit të Shëndetit Publik për masat anticovid u shkel që në oborrin dhe korridoret e shkollave në Elbasan, ku distanca 1.5 metër nuk u zbatua dhe grumbullimet nuk u evituan.
Nxënësit duhet të hyjnë në klasa një nga një, në distancë 1.5 metra, por siç mund të shihet kjo masë nuk gjeti zbatim.
Gjatë kohës së qëndrimit ekipit të televizionit në një nga shkollat në Elbasan, aty nuk u mat në asnjë rast temperatura, siç e kërkon udhëzimi.
Sipas protokollit të datës 27 gusht, që mban firmën e drejtoreshës së Institutit të Shëndetit Publik Albana Fiço, çdo bankë duhet të ketë vetëm një nxënës, por kjo gjë përsëri nuk ndodhi.
Mbajtja e maskës në klasa ishte e vetmja pikë që u zbatua në shumicën e nxënësve, por pati edhe raste kur disa fëmijë nuk posedonin një të tillë.
Mësimi në klasa këtë vit rikthehet pas një viti mësim online për shkak të pandemisë së koronavirusit, ndërsa Shqipëria po përballet me një shtim të infektimeve dhe përkeqësim të situatës së pandemisë nga shtrimet në spitale dhe numri i vdekjeve.
