Pije e cigare pranë shkollave, nxënësit tregojnë lehtësinë me të cilën i blejnë

Pranë ambienteve të shkollave 9-vjeçare dhe gjimnazeve në kryeqytet tregtohen pije alkoolike, energjike dhe paketa cigaresh për të gjitha kategoritë e moshave, përfshirë edhe për ato nën 18 vjeç. Nxënësit pranojnë se kanë konsumuar pije energjike nga dyqane të tilla fare pranë shkollave, pa asnjë vështirësi. Por prindërit e shohin të rrezikshëm tregtimin e këtyre artikujve dhe kërkojnë shtimin e kontrolleve dhe largimin e ambulantëve nga zona pranë ambienteve arsimore.

Edhe ky vit i ri shkollor i gjen ambjentet jashtë institucioneve të arsimit, qoftë 9-vjeçar apo gjimnaze, të rrethuara nga kioska ku tregtohen pije alkoolike, pije energjike dhe paketa cigaresh.

Por çfarë thonë nxënësit, sa me lehtësi apo vështirësi mund të bëjnë blerje të produkteve të tilla?

Nxënësit pranojnë se ka patur raste ku kanë konsumuar pije enerergjike të blera në kioskat pranë shkollave, pa hasur vështirësi nga shitësit për shkak të moshës.

"Thjesht e kam kaluar te kasa dhe ma ka dhënë."

"Kam marrë B52."

"Shitësja ja ka dhënë pas asnjë problem. Nuk i ka thënë pse po i merr."

Ligji parashikon ndalimin e konsumimit të produkteve të tilla për fëmijët nën moshën 18 vjeç, por prania e kioskave pranë shkollave 9-vjeçare dhe të mesme duket se frymëzon fenomenin, madje edhe blerjen dhe përdorimin e cigareve.

Prindërit e shohin të rrezikshëm tregtimin e këtyre produkteve pranë institucioneve arsimore.

Ata propozojnë krijimin e një mense brenda shkollës me ushqime e pije të shëndetshme për shmangien e përdorimit të pijeve të dëmshme për nxënësit.

"Nëse largohen nuk i blejnë, po të jenë aty do ti blejnë se fëmijë janë."

"Është më mirë që një ambjent ushqimor të jetë brenda shkollës, të monitorohet nga Ministria e Shëndetësisë në varësi të Ministrisë së Arsimit sesa jashtë objektit, për të siguruar ushqimet."

Mjekët thonë se konsumimi i pijeve energjike apo duhanit  shkakton probleme shëndetësore tek moshat e reja.