Klubi i Vllaznisë një hap larg privatizimit
Vllaznia është në hapat e fundit të privatizimit të plotë i cili do të jetë i pari në futbollin elitar shqiptar.
Proçesi i ankandit kishte vijuar normalisht me Alban Xhaferrin që ishte pranë finalizimit por një nga ofertuesit e tjetë kishte ankimuar në KPP, proçesin ku sipas tyre kishte probleme.
Pas ankimimit, Komisioni i Prokurimit Publik mori në dorë çështjen ku i gjithë proçesi i ankandit iu nënshtrua një auditimi të thellë dhe sot pas pothuajsh 2 muajsh, KPP ka dhënë "ok", duke e konsideruar si një ankand të rregullt deri tani.
Bashkia e Shkodrës reagoi në Facebook për vendimin nga KPP, duke e konsideruar tanimë ankandin drejt mbylljes dhe shitjes përfundimtare të Vllaznisë, e cila do të ketë si pronar Alban Xhaferin.
Më poshtë edhe postimi i Bashkisë së Shkodrës e cila deri tani zotëron aksionet e Vllaznisë:
Komisioni i Prokurimit Publik - KPP ka sjellë zyrtarisht në Bashkinë e Shkodrës përgjigjen përfundimtare për procesin e ankandit të KF Vllaznia sh.a.
KPP ka lënë në fuqi vendimin e Autoritetit Shitës - Bashkia e Shkodrës, duke çertifikuar të gjitha etapat e procedurës së ndjekur për ankandin e KF Vllaznia sh.a.
Që në ditën e parë të shpalljes, ka qenë një proces ligjor, transparent dhe në komunikim me publikun. Janë respektuar me rigorozitet ligjet dhe aktet e tjera ligjore që rregullojnë procedurat e ankandit në Shqipëri.
Tashmë, pas vendimit të KPP, ankandi i KF Vllaznia sh.a. po shkon drejt përmbylljes, duke shënuar privatizimin e parë në Shqipëri për një klub futbolli.
Jemi krenarë që Vllaznia jonë është përsëri e para edhe në ketë procedurë.
Falenderojmë të gjithë pjesëmarrësit që kanë treguar interes për një emër të madh siç është Vllaznia jonë.
Klubi kuqeblu përgatitet të nisë një fazë të re të aktivitetit, duke u administruar ashtu si të gjitha klubet e tjera të suksesshme në vend e botë. Siç kemi konfirmuar edhe më herët, si një emblemë identifikuese e Shkodrës, shkodranëve e mijëra tifozëve, Bashkia Shkodër do të vazhdojë të kontribuojë për Vllazninë e futbollit siç edhe për të gjitha sportet.
Në fund, një falenderim për tifozët e mrekullueshëm kuqeblu, të të gjitha kohërave, kudo ku ndodhen. Mbështetja e tyre edhe gjatë procesit të ankandit, është një vlerë shtuar e qendrueshme për Vllazninë dhe sukseset e saj.