Vllaznia për femra pranë historisë, do të luajë ndaj Juventusit në Champions

Është hedhur këtë të dielë shorti për turin e dytë të Champions League për femra ku bën pjesë edhe kampionia e Shqipërisë, Vllaznia. Shorti nuk ishte me shumë fat për vajzat kuqeblu teksa do të përballen me kampionet e Italisë, Juventus.

Këta të fundit janë ekipi më i fortë dhe po dominojnë futbollin Italian për femra prej vitesh por në arenën europiane nuk kanë bërë shumë ndaj dhe për Vllazninë e femrave do të jetë një mundësi e artë pasi kanë treguar nivel edhe në kupat e Europës.

Ndeshja e parë do të luhet në Shqipëri në datën 31 gusht ose 1 shtator, ndërsa ajo e kthimit në Itali në datën 8 ose 9 shtator dhe do të jetë një takim për historinë pasi nëse do të kalonte Juventusin, Vllaznia do të shkruante librat e historisë duke u bërë ekipi i parë shqiptar që arrin në grupet e Champions League për femra.