Tapeti i ri në “Air Albania” nuk është gati, Shqipëria luan eliminatoret në “Elbasan Arena”
Ndryshim planesh për kombëtaren kuqezi. Teksa të gjithë po prisnim rikthimin e Shqipërisë në “Air Albania” dhe me tifozë, Federata Shqiptare e Futbollit bën me dije se skuadra kuqezi nuk do të luajë në impiantin e ri por në “Elbasan Arena”.
E gjithë kjo sipas FSHF vjen për shkak të investimit për rinovimin e fushës që parashikon një tapet të ri hibrid, i cilësisë dhe standardeve më të larta ndërkombëtare, që pritet të jetë gati në mesin e muajin e shtator.
Shqipëria do të luante tre ndeshje në Shtator, të vlefshme për eliminatoret e Botërorit Katar 2022, ku më 2 Shtator do të ishte në transfertën me Poloninë, e me 5 dhe 8 Shtator do të spostohej në “Air Albania” por punimet që po zgjasin kanë sjellë edhe këtë ndryshim programi.
Gjithashtu, FSHF, bëri të ditur se biletat për dy ndeshjet ndaj Hungarisë dhe San Marinos do të dalin në shitje ditën e shtunë, datë 21 gusht 2021.
