Lautaro pranë rinovimit me Interin. Marcus Thuram goditja e mundshme në sulm

Me largimin e Lukakut, te Interi nuk do të ketë më largime.

Do të ishte realisht zhgënjyese por edhe shkatërruese për grupin e kampionëve të Italisë të largohej një tjetër titullar ndaj dhe drejtuesit kanë përshpejtuar bisedimet me Lautaro Martinez për të rinovuar kontratën.

Ka optimizëm të madh për një akord për 4 vite të tjera me një pagë prej 6 mln euro në sezon bashkë me bonuset. Zyrtarizimi sipas mediave italiane mund të vij me nisjen e Serisë A, javën e ardhshme.

Me mbylljen e këtij kapitulli, Marotta e Ausilio do të kompletojnë edhe repartin e sulmit ku pasuesi i Lukakut mund të vijë nga Gjermania. Bëhet fjalë për Marcus Thuram, djalin e legjendës, Lilian Thuram, i cili ka agjent të famshmin Mino Raiola teksa bisedimet janë në fazat e para.

I preferuari i drejtuesve mbetet Zapata por Atalanta e vlerëson 50 mln euro, ndërsa opsioni tjetër është Correa i Lazios, një alternativë më e afrueshme për çmim dhe vlerësim pasi Inzaghi e njeh mirë që nga Lazio.