Uzuni i pafat, humbet penallti por Ferencvaros ruan shpresat për grupet e Championsit

Nuk ishte mbrëmja e Myrto Uzunit. Sulmuesi shqiptar ishte protagonist te Ferencvaros por kësaj radhe jo për mirë pasi penalizoi skuadrën.

Në ndeshjen e parë playoff, raundi i fundit që të çon në grupet e Championsit, Ferencvarosi u përball me Young Boys në Zvicër teksa ndeshja përfundoi 3-2 për vendasit.

Ishte një rezultat zhgënjyes por duhet thënë që le çdo gjë hapur dhe po të kishte shënuar Uzuni, ndeshja mund të shkonte edhe ndryshe.

Në minutën e 27', ndeshja ishte 1-1 dhe Young Boys ishte me 10 lojtarë kur Ferenvaros fitoi një penallti. Nga pamjet u duk që Uzuni kërkoi ta gjuante penalltinë dhe kërkesa iu pranua por lojtari kuqezi ishte i pafat pasi topi përfundoi në shtyllë. Laiduoni ishte aty pranë dhe gjuajti por gjithsesi goli u anulua për pozicion jashtë loje.

90' minutat e para u mbyllën me fitoren 3-2 të Young Boys por pas një jave, Uzuni me shokë duhet të fitojnë që të shkojnë për të dytin vit radhazi në Champions League.