Sarri nuk ka vendosur ende për portën. Strakosha kërkon siguri nga Lazio
Teksa për pak ditë nis Seria A, te Lazio ka ende disa pikëpyetje që lidhen me merkaton por edhe me portën.
Trajneri Sarri nuk ka dhënë ende asnjë sinjal se kush do të jetë titullari i portës te Lazio teksa në miqësore u ka dhënë të njëjtin numër ndeshjes, nga 3 si Pepe Reinas ashtu edhe Strakoshës.
Gardiani kuqezi është në fakt në një situatë delikate pasi vjen nga një sezon jo i mirë sezonin e kaluar i kushtëzuar nga dëmtimet, Covidi e raportet disi të tensionuara me Inzaghin.
Tani në prag të sezonit të ri dhe kur merkato mbyllet pas pak ditësh, mësohet se Strakosha ka kërkuar qartësi dhe siguri nga klubi.
Portieri shqiptar kurrë nuk e ka mohuar dëshirën për të luajtur në një klub të madh por asnjëherë nuk i ka kthyer shpinën as klubit që e rriti në këto nivele.
Ndaj për të kuptuar rolin që do të ketë ai këtë sezon, raportohet se agjenti i tij ka kërkuar një takim me stafin teknik për të kuptuar nëse Sarri do të ketë besim te Strakosha.
Ky i fundit ka edhe një vit kontratë të mbetur me Lazion dhe askush, duke përfshirë edhe vet futbollistin kuqezi nuk dëshiron të largohet me parameter zero.
