"Tërhiqeni ftesën për Bregoviçin!" Tifozët Kuq e Zi denoncojnë presionin policor: Po na shoqërojnë në komisariate

Grupi i tifozëve të Kombëtares së Shqipërisë, Tifozët Kuq e Zi, kanë denoncuar në faqen e tyre në facebook represionin policor që po u bëhet në prag të ardhjes së këngëtarit serb Goran Bregovic, i cili do të jetë një nga të ftuarit special të këtij viti në Festën e Birrës në Korçë.

Sipas tyre në të katër anët e vendit, dje dhe sot, dhjetëra përfaqësues e anëtarë të grupit janë shoqëruar nëpër komisariate duke ushtruar dhunë psikologjike, me kërkesën për heqje dorë nga thirrja jonë për bojkotimin e këngëtarit serb në festivalin e birrës.

"Dje dhe sot jemi përballur me një represion psikologjik të jashtëzakonshëm nga ana e autoriteteve policore në shumicën e qyteteve të Shqipërisë administrative.Dhjetëra përfaqësues e anëtarë tanë, janë shoqëruar nëpër komisariate duke ushtruar dhunë psikologjike, me kërkesën për heqje dorë nga thirrja jonë për bojkotimin e këngëtarit serb në festivalin e birrës në Korçë".

Ata thonë se nuk frikësohen teksa bëjnë sërish thirrje për të tërhequr ftesën ndaj këngëtarit.

"Nuk na frikësoni!Nuk zbrapsemi!Shqipëria jonë është më e madhe se ato kilometra që administron Ministria e Brendshme.Tërhiqeni ftesën për Bregoviçin!"

Ardhja e këngëtarit serb në Korçë është shoqëruar prej ditësh me polemika të shumta në nivelet më të larta të politikës në Kosovë dhe Shqipëri.