Ronaldo thyen heshtjen: Mos luani me emrin tim, historia me Realin e mbyllur
Zërat e shumtë të merkatos rreth Cristiano Ronaldos duket se kanë shkaktuar një zemërim të madh te lojtari portugez. Sulmuesi prej kohësh përflitej se dëshiron të largohej nga Juventusi dhe se PSG ishte opsioni I parë apo edhe në Angli te Man. City e Man. United ndërsa sot dolën edhe lajme për një rikthim të bujshëm te Real Madrid. Thashethemet e merkatos duket se kanë mbushur Kupën teksa Cristiano Ronaldo ka bërë një reagim të gjatë në rrjetet sociale.
“Kushdo që më njeh është i vetëdijshëm se sa i fokusuar jam në punën time. Më pak fjalë dhe më shumë aksion, kjo ka qenë motoja ime udhëzuese që nga fillimi i karrierës sime. Sidoqoftë, duke pasur parasysh gjithçka që është thënë dhe shkruar kohët e fundit, më duhet të përcaktoj pozicionin tim.
Më shumë sesa mosrespektimi për mua si njeri dhe si lojtar, mënyra joserioze e mbulimit të lajmeve mbi të ardhmen sime në media është mosrespektuese ndaj të gjitha klubeve të përfshira në këto thashetheme, si dhe ndaj lojtarëve dhe stafeve të tyre.
Historia ime te Real Madrid është shkruar, është regjistruar, në fjalë dhe numra, në trofe dhe tituj, në rekorde dhe tituj. Janë në Muzeun e “Santiago Bernabeu” dhe është gjithashtu në mendjen e çdo tifozi të klubit. Dhe përtej asaj që kam arritur, mbaj mend se në ato nëntë vjet kisha një marrëdhënie me dashuri dhe respekt të thellë për "fanellën merengues", një dashuri dhe respekt që e ruaj deri më sot dhe që do ta çmoj gjithmonë. Unë e di se tifozët e vërtetë të Real Madridit do të vazhdojnë të më kenë në zemrat e tyre, dhe unë do t'i kem ata në timen.
Përveç rastit më të fundit në Spanjë, ka pasur lajme dhe histori të shpeshta që më shoqërojnë me një numër të klubeve në liga të ndryshme, ku askush nuk është shqetësuar dhe përpjekur për të gjetur të vërtetën aktuale.
Unë po thyej heshtjen time tani për të thënë se nuk mund t'i lejoj njerëzit të vazhdojnë të luajnë me emrin tim. Unë qëndroj i fokusuar në karrierën time dhe në punën time, i përkushtuar dhe i përgatitur për të gjitha sfidat me të cilat duhet të përballem. Çdo gjë tjetër? Çdo gjë tjetër është vetëm bisedë.????”, është statusi i yllit portugez.
Postimi i tij vjen në fakt pas pothuajse çdo ditë lajme e zëra se Ronaldo do të shkojë këtu apo atje por ndërkohë ai ka edhe një vit kontratë me Juventusin dhe me reagimin e tij duket se i ka dhënë fund çdo dyshimi për të ardhmen.