Talibanët, 'dora e zgjatur' e Pakistanit dhe shërbimeve të tij inteligjente dhe rreziku për një 11 Shtator të dytë
Marrja në kontroll e Afganistanit nga talibanët pas dy dekadave luftë fill pas largimit të trupave amerikane nga vendi është shndërruar në kryefjalë të mediave botërore ditët e fundit duke përcjellë të gjitha zhvillimet që po ndodhin atje.
Kolonel, Dritan Demiraj, i cili ka udhëhequr disa misione të forcave shqiptare në Afganistan, ka jetuar atje për një kohë të gjatë kohore, në një intervistë me skype për Rtv Ora nga SHBA me gazetaren Besmira Pelushaj bën një analizë të gjithë situatës dhe çfarë pritet të ndodhë në të ardhmen.
Demiraj vlerëson se ka një progres nga dita e djeshme, duke iu referuar mobilizimit të forcave kundër talibanëve.
"Nga dita e djeshme kemi një ndryshim në raport e situatën nga pardje dhe më përpara pasi kemi një mobilizim të forcave kundër talibanëve, po rigrupohen për të bërë një ofensivë ndaj talibanëve. Në mungesë të presidentit, drejtimin e ka marrë zëvendëspresidenti i parë Amrullah Saleh, një person karizmatik, një nga njerëzit më të përgatitur dhe më pro amerikan që ka Afanistani, si duket po organizojnë një rezistencë. Duhet theksuar që edhe gjatë kohës që kanë drejtuar talibanët në 1996-2001, lugina e Panjshirit, 10% e territorit të Aganistanit nuk ka qenë kurrë e pushtuar nga talibanët pasi në drejtim të saj ishte gjenerali Ahmad Shah Massoud. Tani djali i tij është mobilizuar me ish-ministrin e Mbrojtjes dhe po përgatitin rezistencën".
Kush janë talibanët, objektivi i tyre politik dhe nga kush mbështetën?
Talibanët janë një lëvizje që nga fjala Pashto përkthehet në student, të cilët gjatë pushtimi sovjetik në vitet '79-'89 rreth 3.5 milionë afganë u zhvendosën në Pakistan. Pakistani organizoi rezistencën me mbështetjen e SHBA por edhe vendeve të tjera, dhe Kina ka pasur një rol të caktuar në konflikt. Studentët, talibanët të cilët në 55 mijë medrese të Pakistanit u radikalizuan dhe u përdorën për interesat politike dhe strategjike të Pakistanit. Këto janë talibanët që u dërguan pas përfundimit të luftës me qëllim që Pakistani të kontrollonte edhe situatën politike, ekonomike dhe të sigurisë në Afganistan.
Kush i financon?
Është një strukturë e mirëorganizuar. Fakti që brenda tre muajve morën kontrollin e të gjithë Afganistanit ndërkohë që zhvillonin bisedime për të arritur një marrëveshje paqeje me qeverinë nën negociimin e amerikanëve tregon se çdo gjë monitorohet nga Shtabi i Përgjithshëm dhe shërbimi inteligjent i Pakistanit. Është një organizatë e organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme pasi ka mbështetjen e një shteti dhe një organizate shumë profesionale inteligjence. Përbëhet nga tre shura drejtuese, ajo ushtarake, fetare dhe finaciare. Sa i takon financave, vitet e fundit si pasojë e kontrollit të kufijve, sigurojnë 2.5-3.5 milionë dollarë vetëm nga doganat çdo ditë sot. Por kryesisht paratë përfitohen nga trafiku i drogës, pasi Afganistani siguron 85-90% të heroinës në botë që ose kontrollohet nga talibanët ose marrin taksën 10% të kalimit. Nga ana tjetër gjobëvëniet, kontrolli i minierave pasi Afganistani përbëhet nga një numër i jashtëzakonshëm minierash, pasuri shumë të mëdha dhe të shumëllojshme dhe pastaj financimet nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara. Një shumë e konsiderueshme jepet dhe nga shërbimi i Pakistanit i cili i organizon, i kontrollon.
A dështoi misioni i NATO-s?
Në mënyrë absolute misioni i NATO-s nuk ka dështuar. Administrata amerikane pavarësisht se kush e drejton vijon në linjën e administratës së mëparshme. Objektivi thermelor i SHBA-ve gjatë ndërhyrjes në Afganistan ka qenë vetëm një: Largimi i talibanëve, asgjesimi i Al-Qaedas dhe mospërdorimi më i Afganistanit si bazë operacionale për sulme terroriste ndaj Amerikës, vendeve Perëndimore dhe vendeve të Azisë juglindore. Ky objektiv është arritur. Kurrë në objektivat strategjikë të Amerikës nuk ka qenë krijimi i shtetit të Afganistanit dhe përmirësimi i demokracisë, sigurisht ka qenë pjesë e objektivit të SHBA por jo objektiv primar. Politika dhe objektivat amerikane janë realizuar plotësisht.
Si ndërhyri SHBA?
Është zhvilluar një operacion i mirëorganizuar dhe i mirëekzekutuar. Operacioni quhej "Anakonda", objektiv i së cilës ka qenë rrethimi i Afganistanit, marrja e pikave kufitare, pastaj asgjesimi i drejtuesve lokalë, provinciale, distrikteve ose vrasja e atyre që kanë qenë kundra, një pjesë e madhe e tyre i janë bashkuar talibanëve, nga ana tjetër ka qenë goditja e forcave të sigurisë, asgjesimi i një pjese të madhe të forcës ajrore, krejtësisht investim amerikan disa bilionë dollarësh është larguar në Taxhikistan. Në rast se talibanët do të kishin në përdorim dhe forcat ajrore rreziku në të ardhmen do të ishte dhe më i madh.
Pse dështoi ushtria dhe policia kombëtare afgane?
Për shkak të korrupsionit të jashtëzakonshëm. Afganistani është një shtet që nuk është pushtuar asnjëherë që nga Aleksandri i Madh. Është shoqëri tribale, ata nuk pranojnë kurrë që të udhëhiqen nga dikush përveçse nga lideri i tyre, është e vështirë të krijosh demokracinë. E vetmja periudhë e artë e Afganistanit është koha e Zahir Shahut deri në '73 kur Afganistani ishte mbretëri, e modernizoi dhe bëri Afanistanin krejtësisht të njëjtë me jetën perëndimore. Afganistani dështoi për shkak të korrupsionit galopant, këtë e tregoi dhe veprimi i fundit i Presidentit i cili me 30 milion dollarë u largua nga vendi në momentin e parë sapo ndjeu presionin e madh.
Çfarë pritet?
Rreziku është i madh. Në Afganistan sot bashkë me talibanët, përveç një pjesë elitë të shërbimeve inteligjente pakistaneze që drejtojnë të gjithë këto veprime kemi rreth 22 grupe terroriste nga më të terroristet që ekzistojnë, të fuqishme me kapacitete dhe me begraund historik shumë të rrezikshëm. Një nga pikat kryesore të marrëveshjes mes Amerikës dhe talibanëve ka qenë që talibanët kanë marrë përsipër që në Afganistan nuk do të shkelë këmba e asnjë grupi terrorist. Faktikisht Al-Qaeda në Afganistan, në Pakistan, rrjeti Hakani, talibanët taxhik, hunxhatë, baziri dhe shumë grupe të tjera, të gjithë sot u janë bashkuar talibanëve dhe janë pjesë e kësaj ofensive të "suksesshme" që në të ardhmen nuk lë vend për asnjë parashikim pozitiv.
Kush fitoi dhe kush humbi nga largimi i forcave amerikane nga Afganistani?
Vendet të cilat kanë përfituar jashtë mase janë Pakistani dhe Irani. Shërbimi i Inteligjencës së Ushtrisë pakistaneze e ka krijuar, mbështetur dhe përgatitur lëvizjen e talibanëve. Objektivi strategjik ka qenë monitorimi dhe drejtimi i Afganistani, shfrytëzimi i mineraleve dhe pasurisë së gazit, naftës etj. Nga ana tjetër Irani ka përfituar pasi prej kohësh ndihmonte financiarisht me projekte nga më të ndryshmet Afganistanin me qëllim që të ushtronin presion për largimin e forcave amerikane.Dislokimi i të gjithë atyre bazave amerikane dhe një fuqie të jashtëzakonshme ajrore dhe tokësore përbënte kërcënim për Iranin.
Një 11 shtator i dytë në SHBA?
Talibanët e njohin fuqinë e jashtëzakonshme, shkatërruese të Amerikës, e kanë provuar në tetor të 2001. Talibanët do të jenë shumë të kujdesshëm, nuk do të guxojnë por kjo nuk do të thotë që grupe të cilët do të jetojnë dhe krijojnë kampet e tyre të stërvitjes mund të mos përbëjnë rrezik për Perëndimin.Përbërja e gjithë këtyre grupeve, analiza e tyre nuk duhet nënvlerësuar ashtu siç u nënvlerësua ofensiva se Kabuli mund të binte për 3-9 muaj, në fakt Kabuli ra pas tre ditëve.
