Takimi i dytë Kurti-Vuçiç/ Lajçak: I vështirë, arritëm shumë pak progres!
Përfaqësues Special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, Miroslav Lajçak, ka komentuar takimin mes Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Sipas mediave të Kosovës, Lajçak e ka vlerësuar të vështirë dhe me shumë pak progres takimin mes dy liderëve.
“Takimi u zhvillua vetëm një muaj pas takimit të tyre të parë në kuadër të dialogut këtu në Bruksel. Takimi ishte i vështirë dhe demonstroi qasje shumë të ndryshme të të dy palëve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Si pasojë, ne arritëm shumë pak progres sot. U diskutuan disa propozime konkrete, mirëpo rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është se dialogu do të vazhdojë”, tha ai.
Sipas tij palët ranë dakord që negociatorët kryesorë do të zhvillojnë takime mbi baza mujore, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian për të adresuar çështjet aktuale dhe për të përgatitur takime të nivelit të lartë kur është e përshtatshme.
“Për më tepër, të dy udhëheqësit ranë dakord të takohen përsëri në shtator. Për ne, Bashkimin Evropian, është e rëndësishme të nënvizojmë se e ardhmja evropiane për Serbinë dhe Kosovën varet nga normalizimi i marrëdhënieve të tyre. Prandaj, ne presim që të dy palët të punojnë së bashku për të kapërcyer të kaluarën dhe për të zgjidhur të gjitha çështjet e pazgjidhura midis tyre”, tha Lajçak.
Takimi mes Kurtit dhe Vuçiç, në Bruksel është mbyllur, pa marrëveshje . Kryeministri Kurti tha se ka paraqitur një marrëveshje për paqe por që është refuzuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ende pa u lexuar.
Ndërkohë edhe presidenti Vuciç akuzoi Kurtin për kthim në shekullin e 19-të.
Kjo ishte tryeza e dyte e dialogut qe pas ngrirjes se bisedimeve, e cila përveç dështimit nuk dha sinjale për vazhdimësi të procesit.
Disa nga faktorët politikë në Prishtinë kanë kërkuar ndërhyrjen direkte të Shteteve të Bashkuara në këtë dialog pas zvarritjes pa fund të procesit.
