Bashkia Fier ‘ndot’ tenderin e pastrimit, fituese u shpall kompania ‘Kombi Invest’ me ofertën më të lartë

Një tjetër tender ku skualifikohen të gjithë konkurrentët, përfshirë dhe ata me ofertë më të ulët rezulton të jetë zhvilluar nga Bashkia Fier.

Ky institucion nën drejtimin e Armando Subashit ka hapur në qershor të këtij viti procedurën për pastrimin dhe largimin e mbetjeve me një fond limit 198.9 milionë lekë.

Thirrjes i janë përgjigjur 3 operatorë ekonomikë por 2 prej tyre, pikërisht ata që kishin paraqitur ofertën më të ulët janë skualifikuar me argumentin se nuk kishin paraqitur të gjithë dokumentacionin.

Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka kualifikuar e më pas shpallur edhe fitues subjektin ‘Kombi Invest’ me ofertën prej 197 milionë lekësh.

Në fakt rezulton se Victoria Invest ka ofertuar 36 milionë lekë më pak se kompania e përzgjedhur nga bashkia e drejtuar nga Subashi.

Edhe kompania tjeter e skualifikuar Alko impeks, u paraqit me oferten 3 milione leke me pak se fituesi.

Edhe pse në dokumente thuhet se në përzgjedhjen e fituesit do vlerësohet oferta më e favorshme bazuar në çmim, ky kriter nuk është zbatuar.

Për pasoje, në kontrollin e Open Data, ky tender është shënuar me flamur te kuq.
Kontrata është parashikuar të zgjasë për 42 muaj, duke nisur nga muaji korrik i këtij viti e deri në dhjetor të vitit 2024.

Nuk është hera e parë që bashkia e Fierit i ka dhënë firmës ‘Kombi Invest’ tendera, pasi deri tani kjo kompania ka fituar 7 tilla me vlerë 262.7 milionë lekë.

Tenderat janë kthyer në një heshtjet me shqetësuese per buxhetin shtetit pasi kane shkaktuar dëme të konsiderueshme.

Në shumë raporte theksohet se në procedurat e ndjekura nga institucionet, ka skualifikime të ofertave më të ulëta, kompani të favorizuara apo edhe vendosja e kritereve të tepërta, duke sjellë pabarazi në garë.