Apeli mbyll në qeli 5 të akuzuarit për abuzim seksual me 15 vjeçaren në Mirditë, pritet ekspertiza mjeko-ligjore

5 personat e arrestuar me akuzën se abuzuan seksualisht një 15-vjeçare në Mirditë duke i bërë shantazh me video intime do të qëndrojnë në burg.Gjykata e Apelit Shkodër rrëzoi kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë. Rasti tronditës i abuzimit seksual u zbulua në muajin maj, ndërkohë që prokuroria është ende në pritje të ekspertizës përfundimtare për të mbyllur hetimin.

Gjykata e Apelit Shkodër ka vendosur të mbajë në burg 5 personat e arrestuar nën akuzë për përdhunimin e një 15-vjeçareje në Tarazh të Mirditës, rast i cili u zbulua në muajin maj të këtij viti.

Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nikë Lleshi dhe 17-vjeçari me iniciale A.Gj, kishin kërkuar ndryshimin e masës së sigurimit të vendosur nga Gjykata e Lezhës me datë 20 maj.

Por edhe togat e zeza të Apelit kanë vendosur që ata qëndrojnë në qeli deri në fund të hetimit.

Ndërkohë sipas burimeve, prokuroria është në pritje të përgjigjes së ekspertizes mjekësore, e cila do të vërtetojë nëse 5 përsonat kanë abuzuar apo jo seksualisht me të miturën, ndërsa të arrestuarit e kanë mohuar diçka të tillë.

Artan Kaçorri, Albert Molla, Ermal Tarazhi, Nikë Lleshi dhe shtetasi me iniciale A.Gj u arrestuan nga policia, pas denoncimit të 15-vjeçares.

Referuar dëshmisë së vajzës, rezulton se përsoni i parë që ka abuzuar me të miturën është 32-vjeçari, Artan Kaçorri.

Ky i fundit kishte patur lidhje me 15-vjeçaren dhe në muajin mars, madje i kishte blerë dhe një telefon për të komunikuar me të.

Kaçorri, sipas hetimit, kishte arritur që të mashtronte të miturën e ta merrte në makinë e më pas ka abuzuar seksualisht me të, duke i bërë dhe video e foto intime, të cilat janë shpërndare dhe tek 4 personat e tjerë të aferm me njëri-tjetrin.

Përmes videove dhe fotove, të pestë të akuzuarit e kanë shantazhuar të miturën, duke e detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale me to pa dëshirë në mënyrë të përsëritur.

Si provë ajo ka paraqitur telofonin e mesazhet dhe videot e fotot shantazhuese, të cilat i kishin dërguar 5 përsonat, ndërsa ndaj tyre është ngritur akuza “marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç”.

Kjo ngjarje tronditi mbarë opinionin publik dhe u shoqërua me protesta në disa qytete të vendit, ku aktivistë dhe qytetarë kërkonin parandalimin e ngjarjeve të tilla si dhe ndëshkimin e autorëve.