Trafik dhe korrupsion, kreu i SPAK zbulon detaje nga arrestimi i 28 personave, miliona euro pasuri të sekuestruara
Kreu i SPAK, Arben Kraja, në një konferencë të përbashkët për shtyp me prokurorinë Antimafia të Italisë zbuloi detaje rreth 28 arrestimeve të kryera sot si pjesë e operacionit të përbashkët mes dy vendeve për goditjen e trafikut të drogës Shqipëri-Itali.
Hetimi i përbashkët mes dy shteteve ka vijuar prej një viti deri në finalizimin sot të operacionit.
Kraja: Është skuadër e përbashkët që kryen hetime të përbashkëta prej një viti, shkëmbim informacioni të mënjëhershëm dhe shumë të suksesshëm.
Sot u ekzekutuan 28 masa sigurimi të dhënë nga GJKKO.
Kraja tha se është evidentuar dhe provuar plotësisht i gjithë zinxhiri nga kultivimi dhe prodhimi deri në transportin dhe tranzitimin në Itali të lëndëve narkotike.
Po kështu, shtoi ai, "është evidentuar dhe provuar përfshirja e zyrtarëve të ndryshëm publikë në këtë lloj aktiviteti duke favorizuar aktivitetin kriminal".
Bëhet fjalë për prokurorë, punonjës poloicie dhe administratorë të pushtetit lokal.
Janë evidentuar dhe sekuestruar pasuri të konsiderueshme të luajtshme dhe të paluajtshme si dhe aktivitete tregtare me vlerë disa milionë euro.
Kraja tha se tregues i rëndësishëm është dhe përdorimi i bashkëpunëtorëve të drejtësisë.
Kraja: Kanë qenë katër bashkëpunëtorë të drejtësisë që kanë dhënë kontributin në këtë operacion. Kemi ngritur akuza dhe për pastrim të produkteve penale. Para një viti në Romë sqaruam pjesën e parë të këtij operacioni dhe aty deklarova se do ti shkojmë deri në fund për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë, edhe zyrtarë publikë. Do të vazhdojmë në të njëjtën rrugë.


