Furgoni merr përpara karrocën në autostradë, vdes 77-vjeçari, ngordh edhe gomari i tij

Një 77-vjeçar humbi jetën si pasojë e një aksidenti në aksin Lushnje-Berat. Karroca e tërhequr nga një gomar me të cilën ai po shkonte drejt tokave bujqësore u përplas nga një furgon mallrash.

Konstadin Verushi 77 vjeç, kishte dalë nga shtëpia rreth orës 06:00 të mëngjesit e po shkonte drejt tokave bujqësore me një karrocë që tërhiqej nga një gomar.

Por sapo ka dalë në rrugën nacionale Lushnje-Berat janë përplasur nga një furgon mallrash.

77-vjeçari ndërroi jetë për pasojë të plagëve të rënda që mori.

Përplasja ka qenë aq e fortë sa edhe kafsha që tëhiqte karrocën ngordhi në vend.

Nga të dhënat e para dyshohet se shkak për aksidentit ishte shpejtësia e lartë me të cilën udhëtonte furgoni i mallrave.

Ndaj shoferi është ndaluar nga policia deri në sqarimin e rrethanave të plota.

Rruga nacionale Lushnje-Berat mbetet një aks problematik, pasi banorët e zonës duhet të kalojnë patjetër nga rruga e makinave për të shkuar tek tokat e tyre bujqësore.

6 muaj e parë të vitit 2021 kanë prodhuar bilanc tragjik në rrugë.

Aksidenti më tragjik ishte ai i pak ditëve më parë në rrugën Fier-Vlorë, ku humbën jetën 4 anëtarë të familjes Gushi.

Makina me të cilën ata po shkonin me pushime, u godit nga pas nga një mjet tjetër që drejtohej nga një 22-vjeçar, i cili po udhëtonte me shpejtësi tej normave të lejuara në rrugë.