Greqia i heq traun Kapshticës, udhëtarët duhet të kenë test dhe formular, hapet dhe porti i Sarandës drejt Korfuzit

Pika kufitare e Kapshticës, është hapur plotësisht të premten pasi qëndronte e mbyllur që nga nëtori i vitit 2020 për shkak të masave anti-Covid të shtetit fqinj. Autoritetet greke kanë njoftuar se nga kjo pikë kufitare do të mund të kalojnë të gjithë qytetarët që janë të pajisur me test anti-Covid dhe formularin PLF.

Për herë të parë që prej nëntorit të vitit që lamë pas, pika doganore e kapshticës do të jetë e hapur për të gjithë, por me dy kushte thelbësore.

Udhëtarët do duhet të paraqesin një test negativ të koronavirusit si dhe të plotësojnë formularin PLF, që gjendet në faqen online të internetit: travel.gov.gr.


Autoritetet e Policisë Greke, kanë njoftuar palën shqiptare se me këto kritere do të lejohet hyrja për në Greqi, për shtetasit shqiptarë me pasaportë, shtetasit me leje qendrimi greke, shtetasit e tjerë europianë.

Gjithashtu, trau do të hapet edhe për mjetet e tonazhit të rëndë si dhe autobusat, ku rreullat do të jenë të njëjta.

Bëhet me dije se pika kufitare do të qëndrojë e hapur 24 orë, ndryshe nga kufizimi në orare që jemi mësuar të shohim deri më tani.

Pas 15 muajsh mbyllje totale, Korfuzi ka hapur linjat e udhëtimit me Portin e Sarandës.

Anijet do të kryejnë tanimë linjën e përditshme Sarandë-Korfuz, ndërsa ato do të funksionojnë me 80% të kapacitetit të tyre.

Funksionimi i Portit i hap rrugën turizmit ditor në Sarandë.

Përllogaritjet tregojnë se rreth 5 mijë turistë ditorë që vijnë në brigjet tona në një javë përmes ishullit të Korfuzit.