Në më pak se dy javë tre prokurorë të arrestuar, emrat dhe akuzat ndaj tyre

Në pak se dy javë tre prokurorë kanë rënë në prangat e policisë.

Me 19 qershor, me urdhër të SPAK u arrestua prokurori i Sarandës, Sali Hysa. Bashkë me të u arrestuan edhe 5 persona të tjerë të akuzuar per vepra të ndryshime penale. Hetimet nisën nga SPAK rreth 1 vit më parë kur nën vëzhgim u vendos një grup i strukturuar kriminal i përfshirë në trafikun e drogës.

Nga hetimet doli në dritë një aferë korrupsioni në sistemin e drejtësisë. Prokurori i Sarandës kishte nën hetim shtetasin Emiljano Mirani, i akuzuar për plagosje të lehtë me dashje dhe mbajtje të armëve të ftohta, por ai e ka pushuar çështjen me ndërhyrjen e motrës së të dyshuarit Elsona Papa që dyshohet se i dha ryshfet prokurorit për të liruar vëllain.

Papa është lënë në “arrest shtëpie” nga gjykata. Përgjimet zbuluan edhe trukimin e ndeshjes së futbollit Selenica-Përmeti. Takimi ishte paracaktuar që Përmeti të fitonte 1-0 me penallti dhe ashtu ndodhi. Për këtë është arrestuar Qerim Ruçi, arbitër futbolli dhe Bledar Hajredini, zyrtar i klubit sportiv “Përmeti” si dhe Julian Zera.

Po ashtu nga përgjimet u zbulua edhe një tjetër rast korrupsioni kur oficeri i policisë gjyqësore, Napolon Hodaj, ndihmoi një të dyshuar për vjedhje me dhunë dhe plagosje t’u shpëtonte akuzave. Për këtë ndihmoi edhe ish-eksperti i mjekësisë ligjor, Hysen Korenica që akuzohet për ekspertim të rremë dhe që do të hetohet të gjendje të lirë.

Me 30 qershor u arrestua prokurori drejtues i komanduar në Prokurorinë e Kukësit, Edmond Kariqi.Kariqi së bashku me Isuf Gegën do të qëndrojë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës deri në momentin e daljes para Gjykatës brenda 48 orësh për tu njohur me masën e sigurisë.

Prokurori  së bashku me shoferin e tij Isuf Gega ka përfunduar në pranga për akuzën e korrupsionit. Sipas SPAK prokurori akuzohet se ka marrë 2 mijë euro përmes shoferit të tij sekser për lehtësimin e masës së sigurisë për një personin nën hetim.Emri i përfaqësuesit të akuzës ka dalë gjatë përgjimit të personave që ishin nën hetim. Pas ndalimit policia ka kontrolluar edhe banesat.

Ndërkohë sot, 2 korrik, u njoftua arrestimi i prokurorit të Vlorës Maksim Sota, aktualisht është nën masën ‘arrest shtëpie’.  Kapja e tij erdhi si pjesë e megaoperacionit të koduar "Shpirti" mes autoriteteve ligjzbatuese shqiptare dhe atyre italiane.

Ai akuzohet për shpërdorim detyre. Bashkë me të u njoftua dhe arrestimi i shefit të trafiqeve në drejtorinë e përgjitshme të policisë së shtetit dhe një ish-polic arrestuar në 2017 për trafik droge dhe në pritje të vendimit të gjykatës.