Arrestohet drejtuesi i prokurorisë Kukës dhe shoferi i Prokurorisë së Kavajës, akuzohen për korrupsion

Pas prokurorit, të Sarandës Sali Hasa një tjetër prokuror ka rënë në pranga me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme.

Prokurori i emëruar si drejtues i komanduar në Prokurorinë e Kukësit, Edmond Kariqi është prangosur mesditën e së  mërkurës, (30 qershor 2021) pasi Gjykata e Posaçme vendosi për të më herët masën e  sigurisë “arrest me burg” për veprën penale të korrupsionit pasiv.

Bashkë me prokurorin, sot Gjykata ka vendosur masat "arrest me burg"  edhe tre  shtetas të tjerë Isuf Gega dhe dy personat me iniciale D.D dhe E.B,  të cilët akuzohen për korrupsion  pasiv.

SPAK bën me dije se ka dyshime të arsyeshme se prokurori në cilësinë e drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë  Kukës ka dhënë dhe ka marrë përfitime monetare për të favorizuar persona nën hetim, të cilët kanë qenë duke u hetuar pranë prokurorisë së shkallës së  parë Kukës.

"Nga veprimet e kryera për këtë procedim penal në bashkëpunim me policinë gjyqësore të Drejtorisë të Policisë së Shtetit, janë siguruar dhe janë mbledhur prova konkrete, nga të cilat janë krijuar dyshime të arsyeshme se shtetasi Edmond Kariqi, në cilësinë e Drejtuesit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës ka kërkuar dhe ka marrë përfitime monetare të parregullta, me qëllim për të favorizuar disa persona nën hetim, të cilët kanë qenë duke u hetuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës" informoi SPAK sot pasdite.

Gjithashtu po me urdhër  të Prokurorisë së Posaçme Gjykata ka miratuar edhe kontrollin e banesave të  personave të arrestuar ndërsa pritet që  të bëhen me dije edhe te tjera detaje ne lidhje me operacionin dhe vlerën monetarë të gjetura në banesat e tyre.

Një ndër çështjet që ka hetuar  prokurori Kariqi  është ajo e këngëtares Fjolla Morina, që u kap me armë në Morinë.

Karriqi akuzohet si i përfshirë në korrupsion, ndërsa arrestimi i tij ka ndodhur gjatë kohës që ai ishte në qendër të Kavajës.

Për ngjarjen është ndaluar edhe shoferi i prokurorit. Në vitin 2019, Karriqi u emërua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë drejtues i përkohshëm i Prokurorisë së Kukësit.