Situata në plazhe, Nurellari: Papërgjegjshmëri e shtetit, u morën me fushatën elektorale dhe harruan detyrat

Politologu Adri Nurellari i ftuar në studion e Ora News me gazetaren Matilda Mcini ka folur për situatën e krijuar së fundmi në plazhe.

Sherri për shezlonget shkaktoi 4 viktima në Velipojë, ndërsa qeveria ka filluar aksionin për heqjen e shelzongeve pa lejë në të gjithë bregdetin shqiptar. Për politologun Nurellari kjo është papërgjegjshmëri e shtetit.

Nurellari: "Unë mendoj se është papërgjegjshmëri e jashtëzakonshme që është lënë kaq vonë vendimi për një çështje kaq të rëndësishme. Këto konkurse  dhe gara  se kush do t'i marrë plazhet bëhen që në fillim të vitit. Kjo tregon një lloj papërgjegjshmërie nga ana e institucioneve shtetërore. Të gjithë kanë qenë të angazhuar në fushatë elektorale dhe harruan përgjegjësitë e tyre."

Nurellari u shpreh se partitë janë marrë me fushatën elektorale dhe kanë neglizhuar detyrat e tyre. Këto vendime, sipas politologut merren në fillim të vitit dhe kjo ngushton hapësirën për krijimin e konfliktit.

Nurellari: "Është e kuptueshme sepse janë marrë me fushatën elektorale dhe kanë neglizhuar detyrat e tyre. Këtu shtohet elementi tjetër që proceset janë zhvilluar në mënyrë jo transparente, jo me garë të hapur dhe të ndershme, më ndërhyrje arbitrare, me ryshfete dhe korrupsion siç e kanë zakonin dhe kjo ka bërë që të lindin tensione. Unë mendoj se nëse këto vendime merren më herët dhe hapësira për konflikte do kufizohet. Pra shikoj një përgjegjësi të drejtpërdrejtë të institucioneve shtetërore."

Përsa i përket aksionit të qeverisë për prishjen e ndërtimeve pa lejë në sezonin turistik Nurellari tha se është detyrë e shtetit të veprojë përditë, jo me fushata dhe aksione. Nuk është normale që një shtet të atribuojë institucionet e veta me fushata, thotë politologu.

Nurellari: "Mendoj që është një sjellje e gabuar që është bëtë traditë tashmë ku detyrat dhe përgjegjësitë shtetërore bëhen me aksione. Ajo që duhet të ishte një veprimtari e përditshme, bëhet me një lloj fushate. Këtu shteti është zëvendësuar me fushata. Këto janë detyra që duheshin bërë dita-ditës. e dyta është dhe fakti pse është lënë të bëhet kaq afër sezonit turistik? Nuk është normale që një shtet të atribuojë institucionet e veta me fushata. Elementi i dytë i rëndësishëm është çfarë kuptimi ka kjo prishe masive në mes të sezonit. Edhe momenti i përzgjedhur është moment i gabuar."