Fondi për Teatrin/ Budina: Qeveria shuplakë Gjykatës Kushtetuese
I ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, regjisori Edmond Budina ka komentuar çështjen e Teatrit Kombëtar si dhe për vendimin e Këshillit Kombëtar të Territorit, i cili pak ditë më parë ka firmosur projektin për objektin e ri.
Sipas tij, vendimi i këtij projekti që u shpall në të njëjtën kohë që Gjykata po merrte vendimin për Teatrin Kombëtar është një shuplakë që i bëhet drejtësisë shqiptare nga ana e qeverisë.
"Në datë 16 ishte seanca maratonë e Teatrit Kombëtar, ku ne tashmë jemi palë. Në këtë rast më duket një gjë shumë e mirë fakti që ne duke mos qenë as fondacion as institucion pranohemi nga Gjykata Kushtetuese për të qenë palë e tretë në gjykim për çështjen e Teatrit Kombëtar. Dhe kjo tregoi se Gjykata Kushtetuese me këtë vendim ka respekt për lëvizjen qytetare dhe i fton se si palë e tretë ne gjykim.
Në seancën maratonë u nxorën në pah shumë të meta, të shkeljes së ligjit që janë kryer nga qeveria, nga Bashkia dhe këto ishin të argumentuara shumë mirë. Dhe kjo na dha shpresën që Gjykata Kushtetuese do të marrë një vendim bazuar mbi ligjin, por edhe mbi moralin. Në një kohë që Gjykata Kushtetuese është gati për të marrë vendim, qeveria shpall fondin për Teatrin, bën veprime së bashku me Bashkinë. Kjo është një shuplakë që i bëhet drejtësisë shqiptare, asaj drejtësie që mendojnë se po e reformojnë. Duhet respektuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Ata morën ca vendime që ishin njëlloj presioni që i bëhej Gjykatës Kushtetuese. “
Budina thekson se dyshon se Gjykata Kushtetuese nuk është e pavarur, pasi sipas tij gjykatësit nuk vendosin në bazë të ligjit por në bazë të partive politike.
“Më lind dyshimi se mos vallë në Gjykatën Kushtetuese, gjykatësit nuk vendosin në bazë të ligjit, në bazë të kushtetueses, por në bazë të partive politike. Gjykata Kushtetuese, nuk është e pavarur përderisa ndërhynë qeveria me një arrogancë të këtij lloj. Ne i bëmë një kërkesë Gjykatës Kushtetuese, që të përshpejtonte vendimin, nuk patëm asnjë reagim. “
Nisja e shqyrtimit të çështjes së Teatrit Kombëtar nga Gjykata Kushtetuese nuk e ka penguar qeverinë që të nisë procedurat për të vazhduar projektin e ndërtimit të godinës së re.
Këshilli Kombëtar i Territorit ka firmosur me 29 qershor projektin për objektin e ri.
Intervistoi Matilda Mcini, përgatiti për online Anila Kolgjini.
