Nuk u luftua trafiku, DASH: Ka raportime se fëmijët përdoren në fusha kanabisi
Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar këtë të enjten raportin mbi trafikun e qenieve njerëzore për vitin 2021. Ndërsa Amerika sheh një rol më të fuqishëm të sajin me administratën e re Biden për çështjet e të të drejtave të njeriut dhe të shtetit të së drejtës në mbarë botën, raporti i këtij viti ruan një rëndësi të veçantë. Ka qenë vetë presidenti amerikan Joe Biden që do të përsëriste si në Amerikë dhe gjatë takimeve në Europë se demokracia është në rrezik në mbarë botën.
Në pjesën për Shqipërinë, raporti bën me dije se qeveria nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eleminimin e trafikimit, ndërsa ngre për herë të parë një problem duke shkruar se sipas njoftimeve të izoluara trafikantët i shfrytëzojnë fëmijët përmes punës së detyruar në fushat e kanabisit në Shqipëri.
Raporti i Departamentit të Shtetit sjell në vëmendje një problem të trajtuar edhe më herët në vend, atë të lypjes nga fëmijët. Trafikantët zakonisht i detyrojnë fëmijët të lypin ose të kryejnë lloje të tjera të punës së detyruar, të tilla si shitja e sendeve të vogla. Ata shfrytëzojnë fëmijët shqiptarë, kryesisht nga komunitetet rome dhe të komunitetit egjiptian nga vende të ndryshme të Ballkanit, për punë sezonale dhe lypje të detyruar, - shkruhet në Raport.
Ndërsa në Shqipëri ka mbërritur Frontexi për ruajtjen e kufijve, kontrollin e emigracionit të paligjshëm, dhe luftën kundër krimit ndër kufitar raporti shkruan se Migrantët e Lindjes së Mesme, Azisë Qendrore dhe Afrikane kalojnë nëpër Shqipëri për të arritur në Evropën Perëndimore janë të prekshëm nga trafikimi, veçanërisht fëmijët e pashoqëruar.
Departamenti i Shtetit rekomandon hetimin me forcë, ndjekjen penale dhe dënimin e trafikantëve, përfshirë zyrtarëve bashkëpunëtorë.
Raporti mbi trafikun e qenieve njerëzore për vitin 2021 pasqyron përpjekjet e rreth 190 vendeve, ndaj trafikut seksual dhe asaj që njihet si skllavëria moderne. Disa vende të nivelit të dytë, kategorizohen në atë që konsiderohet niveli i dytë nën vëzhgim ndërsa tre vende sikurse Libia Somalia dhe Jemeni konsiderohen si raste të veçanta.
