Ura e Zogut në Milot, një ndër Monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të vendit tonë, është dëmtuar edhe më tej nga reshjet e shiut dhe prurjeve të lumit Mat. Edhe pse degradimi i urës është denoncuar prej disa vitesh nga media, nuk është bërë asnjë ndërhyrje nga shteti.
Kushdo që kalon nga Rruga e Kombit, mund të mos ketë më mundësi të shohë me sy të lirë, urën e jashtëzakonshme me harqe të mëdha, në Milot.
Reshjet e fundit të shiut, kanë dëmtuar edhe më tej një ndër Momumentet më të rëndësishme të kulturës në rajonin verilindor të vendit, Urën e Zogut.
Një nga këmbët e urës është fundosur në lumin e Matit me rreth 2 metra, ndërsa pothuajse i gjithë Monumenti me harqe ka lëvizur.
I shpallur si “Miss Ballkani 2001”, për vlerat e larta arkitekturore dhe inxhinerike, Monumenti është braktisur nga Ministria e Kulturës, e cila sipas ligjit duhet ta mbronte.
Historiani Pal Trashaj, i drejton gishtin Qeverisë dhe Ministrisë për lënien në harresë të këtij Monumenti Historik.
“Përveç mungesës së investimeve për mirëmbajtje, kësaj ure i është dëmtuar bazamenti nga gërryerja e vazhdueshme. Kjo urë do të mbetet një kujtim i mirë për nga arkitektura por do të mbetet një kujtim i hidhur sesi po degradohen Monumentet e Kulturës”.
Prej shumë kohësh media ka denoncuar herë pas here dëmtimin dhe degradimin e këtij Monumenti i ndërtuar në 1927, por duket se ai nuk ka qenë kurrë në vëmendjen e Ministrisë së Kulturës.