Kancelarja gjermane, Angela Merkel, prezantoi sot përparësitë e presidencës së vendit të saj në BE për gjashtë muajt e ardhshëm, duke përmendur vetëm negociatat me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë në lidhje me zgjerimin.

Ballkani Perëndimor, Afrika, lufta kundër dezinformimit, migracionit, Rusia dhe Kina, janë përparësitë kryesore të politikës së jashtme të Gjermanisë për gjashtë muajt e ardhshëm.

“Konferencat e hyrjes me Maqedoninë Veriore dhe Shqipërinë duhet të mbahen këtë vit dhe kapitujt e parë duhet të hapen,” u tha Angela Merkel eurodeputetëve këtë pasdite.

Për Merkel, hapja e negociatave me Shkupin dhe Tiranën është një sinjal i rëndësishëm i angazhimit të BE-së për integrimin e Ballkanit Perëndimor.

Nëse të dy vendet ruajnë ritmin e tanishëm të reformave, kapitujt e parë të negociatave mund të hapen në nëntor ose dhjetor. 

Presidenca gjermane planifikon ta vendosë çështjen në axhendën e Këshillit të BE-së në nëntor. 

Deri atëherë, Komisioni Evropian gjithashtu duhet të botojë raporte të rregullta mbi përparimin e reformave në të gjitha vendet e rajonit.

Komisioni Evropian javën e kaluar dorëzoi në Këshillin e BE-së një projekt-kornizë të negociatave për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërisë.