Kapacitetet e shtrimeve në spitalin Infektiv janë ezauruar si pasojë e rritjes së infektimeve të reja, ndërkohë që pacientët që paraqiten tek spitali Infektiv mbahen me orë të gjata në autoambulanca, duke pritur tu lirohet një vend. Familjarët e të prekurve nga Covid, thonë se tek Infektivi dhe në spitalin Covid 3 vijon të mungojë koordinimi për dhënien e informacionit lidhur me trajtimin e pacientëve.

Pacientët e rinj që po paraqiten tek Infektivi me simptoma të rënduara po trajtohen për orë të tëra në ambulanca jashtë spitalit për shkak se shtretërit janë zënë.

8 deri në 10 autoambulanca qëndrojnë të parkuara përpara spitalit Infektiv në pritje për të dërguar pacientët brenda këtyre ambjenteve. Familjarë të tyre thonë se në spital nuk ka vende.

Kjo ishte gjendja në spital që prej orëve të para të mëngjesit të së dielës, ku pacientët, sipas familjarëve, kanë qëndruar deri në 6 orë në ambulanca në pritje për shtrim.

Të afërmit e pacientëve thonë se janë të shqetësuar dhe se asnjë përfaqësues nga spitali nuk u jep informacion.

“Na erdhi urgjenca në shtëpi dje, sot. Në ambulancë i ke të gjithë. Tani erdhëm ne, makina nuk mbahet mend që kur ka ardhur.”

Situata e krijuar i bën të mendojë për t’ju drejtuar spitaleve private, ose ta kthejnë në shtëpi të afërmin e tyre të prekur nga koronavirusi.

“Ai ka nevojë për oksigjen.”

“U interesova unë, nuk ka vend. Të vijë këtu, nuk do ta shtroj në spital”.

Në gjendje jo të mirë shëndetësore, kjo 77-vjeçare, kërkon të mësojë për gjendjen shëndetësore të djalit.

“Asnjë përgjigje, asnjë telefon, asgjë. Kanë dalë boll por nuk japin përgjigje.”

I njëjti shqetësim vihet re edhe në sytë kësaj zonje që pret një informacion për të vëllanë.

“Që në mëngjes duke pritur, as informacion dhe asgjë.”

Pavarësisht se ishte lajmëruar nga qeveria dhe ekspertët e shëndetësisë se vjeshta dhe dimri do të ishin të vështirë për pandeminë, pamjet jashtë Infektivit tregojnë probleme në përballimin e situatës pasi spitali nuk ka më kapacitet pritës për pacientët e rinj.

LEXO EDHE: Bilanc tragjik/ 495 raste të reja me Covid-19, 8 qytetarë humbin jetën