Të huajt që zgjodhën Shqipërinë, Sezeri, parukeri i VIP-ave rrëfen si lindi ideja për të punuar në vendin tonë

Vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i të huajve në vendin tonë. Ata  kanë gjetur veten në Shqipëri përsa i përket mënyrës së jetesës apo vendit të punës.

Për të diskutuar më shumë rreth kësaj përvoje, vështirësive të hasura, mënyrës sesi ndihen ata këtu si dhe një sërë tematikash të tjera ditën e sotme në emisionin e pasdites “Jeto me Orën” në RTV Ora ishin të ftuar Oksana Genkina nga Ukraina  dhe Sezer Arslan nga Turqia.

Ishte një ofertë pune, ajo e cila bëri që ukrainsja Genkina të zhvendoset për të jetuar në Shqipëri.

“Kam ardhur për ofertë pune nga “Real Estate” ku tashmë ende vazhdoj të punoj aty. Më pas, kam gjetur edhe fatin tim këtu, pasi jam martuar me shqiptar. Isha 20 vjeç dhe nuk e kisha problem të ardhurit në Shqipëri, por sot nuk mund të kthehem më atje në Ukrainë, pasi jam familjare”, u shpreh Genkina.

Ndërsa, për Arslan ishte një tjetër përvojë, pasi nxitës për të ka shërbyer shoku i tij. Ai u shpreh në studio, se fillimisht erdhi për vizitë në Shqipëri dhe më pas nuk u rikthye më në Turqi. Ai tha se Turqia për të duket si një vend i huaj, dhe jo se  është lindur dhe rritur atje, kjo pasi këtu ndihet shumë mirë dhe i plotësuar shpirtërisht.

“Unë kam qenë 19 vjeç, dhe është ajo mosha kur do të lëvizësh nga vendi ku je rritur ashtu si çdo i ri. Ëndrra ime ishte të shkoja në Gjermani, Amerikë, por ishte një shok që jetonte prej vitesh këtu. Në një bisedë në kafe, ai më tha që sugjeroj të vish në Shqipëri. Unë në fakt kisha dëgjuar për Shqipërinë, por nuk kisha menduar të jetoja këtu. E kisha pak problem, se unë vij nga një familje prej 10 anëtarësh, ndërsa kur shihja në fillim veten vetëm në shtëpi sesi ndihesha. Sepse, në fillim jetova këtu 7 muaj dhe më pas ika sërish në Turqi se nuk mund të rrija. Por, pas disa kohësh ndryshova sërish mendim dhe u ktheva në Shqipëri, këtu pastaj hapa edhe biznesin tim. Prej, 5 vitesh qëndrova këtu pa ikur fare në Turqi, më dukej sikur çdo gjë kishte ndryshuar. Kur shkoj tani atje, me zor qëndroj një javë, pasi jam mësuar këtu."

Po të njëjtën gjë tha edhe Genkina për vendlindjen e saj Ukrainë, ajo tha se  “ kur shkoj tani më duket si për vizitë, dhe jo se jam lindur dhe rritur aty”. 

Më tej, Oksana tha se “në fillim kur dëgjoja shqiptarët që flisnin me njëri-tjetrin, më dukej sikur po ziheshin nga toni i lartë i zërit, por më vonë kuptova edhe gjendjen emocionale të tyre”.

Por, për Sezer të qëndruarit vetëm në një shtet të huaj larg familjarëve, ishte një ndër vështirësitë e tij më të mëdha të hasura. Sa për traditën, kulturën dhe ushqimin, ai tha se ka ngjashmëri mes Turqisë dhe Shqipërisë, pra përshtatja për të ishte më e lehtë.

“Mendoj se po të ikja në Europë do kisha më shumë vështirësi për tu përshtatur, ndërsa këtu gjuha ishte pak problem në fillim. Se gatimi, tradita, mentaliteti në tërësi, kultura ka shumë ngjashmëri me Turqinë”, u shpreh ai.

Ndërsa, për Oksanën mes Shqipërisë dhe Ukrainës pjesa familjare, rëndësia që njerëzit tregojnë ndaj saj mbetet një e përbashkët mes këtyre dy vendeve.

“Në Shqipëri ashtu si në Ukrainë kam vënë re që familjen e kanë shumë të rëndësishme dhe të shenjtë le ta quajmë, dhe mua kjo gjë më pëlqen shumë”, përfundoi ajo.

EMISIONET