Springsteen kundër ICE, këndon “Streets of Minneapolis” në mbështetje të protestuesve

Springsteen kundër ICE, këndon “Streets of Minneapolis”

Mijëra persona kanë dalë në rrugët e Minneapolis për të protestuar kundër politikave federale të emigracionit dhe veprimeve të agjencisë amerikane të emigracionit ICE (Immigration and Customs Enforcement), pas vdekjes së dy qytetarëve amerikanë gjatë operacioneve të fundit të forcave federale.

Demonstruesit, nën moton “No work, no school, no shopping”, kanë sfiduar temperaturat e ulëta duke marshuar në qendër të qytetit dhe duke brohoritur sloganet për një reformë të politikave të emigracionit dhe largimin e ICE.

Protesta është pjesë e një mobilizimi më të gjerë në shumë qytete amerikane, përfshirë New York, Los Angeles dhe San Francisco, ku mijëra njerëz kanë mbyllur shkolla dhe biznese në shenjë solidariteti. 

Në kulmin e tensioneve, legjenda e muzikës amerikane Bruce Springsteen ishte prezent në Minneapolis, duke mbajtur një performancë të papritur në lokalin e njohur “First Avenue”.

Ai interpretoi këngën e tij të re protestuese “Streets of Minneapolis”, një këngë të dedikuar për qytetarët Renee Good dhe Alex Pretti, të cilët u vranë gjatë përleshjeve me agjentët e ICE dhe që janë bërë figura qendrore të ngjarjeve të fundit.

Titulli dhe mesazhi i këngës pasqyrojnë zemërimin dhe kërkesën për drejtësi në përgjigje të dhunës federale për shkak të operacioneve të emigracionit. 

Springsteen, i njohur për angazhimin e tij social dhe politik, ka përdorur platformën live për të dënuar veprimet e autoriteteve federale, duke shprehur mbështetje për protestuesit dhe familjet e viktimave. Performanca dhe kënga e re kanë nxitur reagime të gjera në opinionin publik dhe median ndërkombëtare. 

EMISIONET