SNL DEBUTON NË BRITANI! Kritikët e ndarë mes vlerësimeve pozitive dhe kritikave për humorin nga versioni amerikan
Versioni britanik i “Saturday Night Live” ka debutuar pas 50 vitesh nga origjinali amerikan. Episodi i parë është pritur me reagime të përziera nga kritikët. Disa vlerësojnë guximin dhe humorin, ndërsa të tjerë e konsiderojnë të dobët. Shfaqja synon të krijojë identitetin e saj në tregun britanik.

Pas dekadash suksesi në Shtetet e Bashkuara, “Saturday Night Live” ka mbërritur edhe në Britani, me një episod debutues që ka ndarë kritikët.
Shfaqja, e drejtuar nga aktorja e njohur Tina Fey, solli një format të ngjashëm me origjinalin amerikan, me monolog hapës, skeçe live dhe performanca muzikore.
Reagimet kanë qenë të përziera. Disa kritikë e kanë vlerësuar si një përpjekje të guximshme, duke theksuar se programi funksionon dhe ofron momente humori të mirë, sidomos në segmentet që trajtojnë lajmet aktuale.
Të tjerë theksojnë se shfaqja ende nuk ka gjetur ritmin dhe stilin e saj, duke e cilësuar si një përzierje mes skeçeve të suksesshme dhe të tjerave që nuk arrijnë të bëjnë publikun të qeshë.

Sipas kritikëve, versioni britanik sjell një ton më të errët dhe më surreal krahasuar me atë amerikan, duke eksperimentuar me humor më specifik për audiencën vendase.
Megjithatë, nuk kanë munguar edhe kritikat e forta, ku disa e cilësojnë programin si jo mjaftueshëm argëtues dhe me skeçe të dobëta.

Shikueshmëria fillestare ka qenë modeste, me rreth 226 mijë ndjekës në transmetimin e parë, ndërsa në rrjetet sociale disa segmente kanë marrë qindra mijëra shikime.
Sfida e vërtetë për “Saturday Night Live UK” pritet të jetë vazhdimësia, pasi episodet e ardhshme do të prodhohen në kohë shumë më të shkurtër, duke testuar kreativitetin dhe qëndrueshmërinë e ekipit.


