Skandali Smokey Robinson! Katër ish-punonjëse e akuzojnë dhe kërkojnë 50 milionë dollarë dëmshpërblim
Smokey Robinson, legjenda e muzikës soul, është paditur nga katër ish-punonjëse që e akuzojnë atë për përdhunim dhe abuzim seksual të përsëritur gjatë viteve 2007–2024. Gratë, të cilat kanë mbetur anonime, pretendojnë se janë keqtrajtuar në mënyrë sistematike në një mjedis pune armiqësor, ndërsa padia kërkon 50 milionë dollarë dëmshpërblim.

Smokey Robinson, një nga figurat më ikonike të muzikës soul dhe legjendë e epokës Motoin 1960–1970, është përballur me akuza të rënda për sulm seksual dhe përdhunim nga katër ish-punonjëse të tij.
Gratë, të cilat kanë zgjedhur të mbeten anonime për shkak të shqetësimeve për privatësinë dhe frikës nga hakmarrja, pretendojnë se ylli i muzikës ka abuzuar në mënyrë të përsëritur ndërmjet viteve 2007 dhe 2024, ndërsa punonin në shtëpinë e këngëtarit në Los Angeles.
Sipas padisë së ngritur në Gjykatën e Lartë të vendit, ylli 85-vjeçar shfrytëzonte momentet kur mbetej vetëm me to, duke injoruar kundërshtimet e tyre dhe duke krijuar një mjedis pune të papërshtatshëm dhe poshtërues.
Akuzat e tyre përfshijnë jo vetëm sjellje të përsëritura abuzive, por edhe shkelje të rënda të të drejtave të punës, përfshirë mungesën e pushimeve, pagave të drejta dhe frikësimin e vazhdueshëm.
Njëra nga gratë pretendon se është sulmuar të paktën 20 herë gjatë një periudhe 12-vjeçare, ndërsa një tjetër përmend të paktën 23 raste abuzimi.
Të katër gratë thonë se e kanë duruar në heshtje dhunën për vite me radhë, për shkak të frikës nga humbja e vendit të punës, stigmatizimi publik dhe pasojat që mund të kishin në statusin e tyre të emigracionit.
Ato u shfaqën në një konferencë për shtyp së bashku me avokatët e tyre, me fytyrat të mbuluara dhe pa bërë deklarata për mediat.
Në një ton të fortë, avokati i tyre John Harris e cilësoi Robinson si një “përdhunues serial dhe të sëmurë” që duhet ndalur sa më parë.
Ai shtoi se gratë janë përballur me dhimbje sidomos kur u është dashur t’ua tregojnë familjarëve për atë që kanë kaluar, dhe se edhe pse asnjë shumë parash nuk mund të kompensojë dhunën që kanë përjetuar, kërkesa për 50 milionë dollarë është një pasqyrim i peshës të abuzimit.
Padia përfshin gjithashtu bashkëshorten e Robinsonit, Frances Robinson, e cila akuzohet se ka ndihmuar në krijimin e një mjedisi toksik pune dhe ka pasur dijeni për sjelljet abuzive, por nuk ka ndërhyrë përkundrazi, thuhet se ka përdorur gjuhë fyese dhe ofenduese ndaj punonjëseve.



