Shkencëtarët sekuencojnë ADN-në e ‘neandertalit të fundit’ dhe kjo ndryshon historinë njerëzore

Shkencëtarët sekuencojnë ADN-në e ‘neandertalit

Në vitin 2015, paleoantropologu Ludovic Slimak bëri një zbulim të jashtëzakonshëm në shpellën Grotte Mandrin në Luginën e Rrônës, Francë: një nofull që i përkiste një neandertali. Ai dhe ekipi i tij kishin gërmuar aty që nga viti 1998, dhe pas 17 vitesh punë, më në fund gjetën mbetjet që kërkonin. Me kalimin e viteve, ata zbuluan pjesë të tjera të këtij individi, një dhëmb apo fragment kocke çdo vit.

Ky neandertal jetoi rreth 42,000 vjet më parë, në fundin e epokës së kësaj specieje. Slimak e quajti atë “Thorin”, sipas personazhit nga The Hobbit i J.R.R. Tolkien: “Thorin në libër është një nga mbretërit e fundit xhuxhë nën mal dhe i fundit i linjës së tij. Edhe ky neandertal është fundi i një linje, fundi i një mënyre për të qenë njeri.”

Për të mësuar më shumë rreth jetës së Thorin-it, ADN-ja e tij u analizua dhe rezultatet u botuan në revistën Cell Genomics. Ato treguan se linja e tij gjenetike kishte mbetur e izoluar për mijëra vjet, pa përzierje me neandertalët e tjerë, edhe pse grupe të tjera jetonin fare pranë.

Slimak kishte dyshuar për këtë që më parë, bazuar në mjetet prej guri të gjetura në zonë. Ai kishte vënë re se teknologjia e përdorur nuk përputhej me atë të neandertalëve nga vendet e tjera, duke sugjeruar izolim kulturor e gjenetik.

Analiza tregoi se Thorin kishte “homozigozitet të lartë gjenetik”, një shenjë e incestit brenda linjës së tij, dhe asnjë provë për përzierje me njerëzit modernë. Kjo sugjeron se grupi i Thorin-it kishte qëndruar i ndarë për 50 mijë vjet nga neandertalët e tjerë, një zbulim që sfidon shumë nga ato që besojmë për migrimin dhe përzierjen e popullatave të lashta.

Slimak thotë se këto të dhëna e detyrojnë komunitetin shkencor të rishkruajë historinë e zhdukjes së neandertalëve: “Si mund të imagjinojmë që popullata të tëra qëndruan të izoluara për 50 mijë vjet kur ishin vetëm dy javë ecje larg njëra-tjetrës? Të gjitha proceset duhen rimenduar.”

Zbulimi i Thorin-it hedh dritë të re mbi fundin e neandertalëve dhe mbi mënyrën se si homo sapiensi mbeti i vetmi përfaqësues i njerëzimit. 

EMISIONET