Shifra marramendëse e dasmës së Kidës në Romë, zbulohen detajet e ceremonisë madhështore

Kida dhe partneri i saj, Ajbi, pritet t’i japin fund beqarisë me një ceremoni martesore që premton të jetë ndër më luksozet e këtij viti.
Sipas raportimit të “Prive by Liberta Spahiu”, çifti ka zgjedhur që dasmën ta organizojë më 1 shtator në Romë, në një rezidencë historike me arkitekturë neoklasike, e ndërtuar në fund të shekullit XIX. E vendosur në një nga kodrat më të larta të kryeqytetit italian, rezidenca njihet për panoramën mbresëlënëse dhe organizimin e eventeve elitare.
Organizimi i ceremonisë pritet të ketë një kosto të lartë. Vetëm rezervimi i ambientit raportohet se varion nga 20 deri në 25 mijë euro, ndërsa buxheti total i dasmës mund të kalojë shifrën e 70 mijë eurove.
Pjesë e veçantë e eventit do të jetë edhe menuja, e cila thuhet se do të përgatitet nga kompani partnere me restorante të vlerësuara me yje Michelin. Sipas raportimeve, kostoja e ushqimit mund të arrijë deri në 300 euro për person.
Edhe aspekti teknik do të jetë në standarde të larta, me sistem profesional ndriçimi dhe audio, për të cilin raportohet se mund të kushtojë deri në 18,500 euro.
Atmosfera festive do të pasurohet edhe nga performancat muzikore. Sipas të njëjtit burim, të ftuarit do të argëtohen nga Ermal Fejzullahu dhe Sinan Vllasaliu, dy artistë të njohur dhe miq të afërt të Kidës, të cilët pritet të jenë pjesë e mbrëmjes së veçantë.
