Rrëfimi i tre djemve që kanë pasion koleksionimin, tregojnë eksperiencat e tyre

Dashuria për koleksionin e sendeve apo objekteve të ndryshme e cila mund të nisë si një pasion apo hobi, kthehet dhe në profesion.

Të shumtë janë njerëzit të cilët koleksionojnë dhe janë fanatikë të objekteve të vjetra të cilat kthehen edhe në vlera dhe bëhen dëshmi e gjallë e periudhave të caktuara të historisë shqiptare.

Tre djem të apasionuar pas koleksionimit rrëfyen në emisionin " Jeto me Orën" këtë pasion të madh. Julian Demeti, kryetar i Shoqatës së Koleksionuesve shqiptarë, Bledar Këneta, koleksionues etiketash dhe Klodian Kapiti koleksionues makinash treguan si nisi gjithçka. 

Julian Demeti koleksionues monedhash  tha se  fillimisht e nisi koleksionin me filatelinë më pas me pullat postare për të vijuar  me koleksionin e monedhave. Ndërsa u shpreh  se në gjithë botën kategoria më e përhapur është filatelia e cila zë numrin më të madh të koleksionistëve . Objektet më të koleksionueshme janë medaljet, librat, uniformat, veglat muzikore, etiketat, makinat etj. "Nuk ka një kufi. Unë e kam nisur me filatelinë dhe e kam vijuar me numizmatikën"- u shpreh ai .

Një tjetër koleksionues i apasionuar që ju bashkua panelit ishte  Bledar Këneta i cili u shpreh se kishte 10 vite që koleksionon etiketa birrash dhe fillimisht u impresionua kur ra në kontakt me disa etiketa të viteve '80. Që atëherë, ai tha se ka filluar të koleksionojë dhe numëron mbi 1000 etiketa. 

 "Tani jam duke  bërë dhe një studim rreth punishteve, fabrikave të cilat kanë prodhuar kryesisht në vitet '20-'44." 

Ndërsa Klodian Kapiti me profesion peshkatar prej vitesh koleksionues makinash  tregoi se nuk është  thjeshtë të ndjekësh këtë pasion, sipas tij koleksionimi i  makinave kërkon hapësirë dhe kohë, por pasioni e ka bërë që të mos ndalet.

"Unë kam qenë gjithmonë i lidhur me automjetet, babai im ka qenë shofer. Pothuajse kam pasur një lidhje shpirtërore me automjetet. Kam rreth 10 automjete, më te vjetrat  janë 2 popieta ruse të cilat kanë dalë në qarkullim në 44 dhe u quajtën popieta sepse patën atë lidhjen  me fitoren e luftës." U shpreh ai.

EMISIONET