RIBASHKIM BABË E BIR! Princi Harry është takuar me të atin, Mbretin Charles! Biseda e shoqëruar me çaj zgjati 50 minuta
Pas më shumë se një viti Princi Harry është takuar me babanë e tij, Mbretin Charles dhe kanë pasur një bisedë private prej 50 minutash në Clarence House. Asnjë prej tyre nuk dha detaje mbi atë që u diskutua.

Princi Harry është takuar me të atin, Mbretin Charles, të mërkurën pasdite në takimin e tyre të parë ballë për ballë që nga shkurti i vitit 2024.
Ishte ky momenti kur Harry mbërriti në shtëpinë e Mbretit, Clarence House, dhe qëndroi atje për rreth 50 minuta, ku thuhet se pinë çaj së bashku.
Pas kësaj, as Buckingham Palace dhe as ekipi i princit nuk dhanë detaje. Por kur u pyet nga gazetarët, Harry tha shkurt:
“Po, është mirë” — duke iu referuar gjendjes së Mbretit.
Në vitin 2020, Princi Harry dhe bashkëshortja e tij, Meghan Markle, vendosën të largoheshin nga detyrat mbretërore dhe të jetonin në SHBA. Ata thanë se donin një jetë më të qetë, pa presionin e medias dhe detyrimeve mbretërore.
Në një intervistë shumë të ndjekur me Oprah Winfrey 2021, Meghan dhe Harry thanë se disa anëtarë të familjes mbretërore kishin bërë komente raciste për ngjyrën e lëkurës së djalit të tyre para se të lindte. Kjo shkaktoi shumë debat dhe zemërim në publik.
Më vonë, ata publikuan një dokumentar në Netflix dhe Harry shkroi një libër autobiografik të quajtur "Spare" ku kritikonte hapur babanë e tij, Mbretin Charles, dhe vëllanë, Princin William. Ai tregoi për debate, lot dhe shumë dhimbje personale.
Pas këtyre ngjarjeve, marrëdhëniet mes tyre u ftohën shumë. Thuhet se nuk flasin rregullisht dhe nuk janë takuar shpesh gjatë viteve të fundit.
Por në intervistën e Harry-t për BBC-në në maj, pati një ndryshim të dukshëm në ton.
"Do të doja shumë një pajtim me familjen time," tha ai. "Nuk ka kuptim të vazhdojmë të luftojmë më. Jeta është e çmuar."
Siç duket kjo solli edhe takimin me të atin që siç thonë mediet ndoshta nuk është pajtimi i madh që shumë njerëz presin, por është një hap i vogël, dhe i rëndësishëm.


