Pse disa partnerë nuk pranojnë kurrë gabimet/ Psikologia shpjegon arsyet e thella emocionale

Pse disa partnerë nuk pranojnë kurrë gabimet/ Psikologia shpjegon

Psikologia klinike Samantha Rodman Whiten shpjegon se në disa çifte ku partneri nuk pranon kurrë gabimet, nuk bëhet fjalë thjesht për kokëfortësi, por për arsye më të thella emocionale dhe psikologjike.

Sipas saj, një nga shkaqet kryesore lidhet me pasigurinë emocionale dhe vetëvlerësimin e ulët. Në këto raste, pranimi i gabimit lidhet drejtpërdrejt me ndjenjën e vlerës personale, ndaj mund të shihet si diçka e vështirë ose kërcënuese.

Ajo shton se ndjeshmëria e lartë ndaj kritikës dhe frika nga refuzimi bëjnë që edhe komentet e zakonshme të perceptohen si sulm personal, duke sjellë reagim mbrojtës dhe shmangie të pranimit të gabimit.

Sipas saj, në disa raste kjo sjellje mund të lidhet edhe me çrregullime të caktuara emocionale, si tiparet borderline, ku frika nga braktisja dhe pasiguria e brendshme e bëjnë edhe më të vështirë pranimin e përgjegjësisë.

Një tjetër faktor është edhe mënyra e rritjes në fëmijëri. Personat që janë rritur në mjedise ku kritika ka qenë e fortë ose gabimet nuk janë toleruar lehtë, shpesh e bartin këtë ndjeshmëri edhe në marrëdhëniet në moshë madhore.

Psikologia thekson se kuptimi i këtyre arsyeve mund t’i ndihmojë çiftet të menaxhojnë më mirë konfliktet dhe të ulin tensionet. Në disa raste, ndihmon edhe terapia në çift për të përmirësuar komunikimin dhe pranimin e përgjegjësive.

Ajo shton se është e rëndësishme që asnjë nga partnerët të mos mbajë një rol fiks si “ai që ka gjithmonë të drejtë” dhe tjetri si “problemi”, pasi kjo e përkeqëson konfliktin në marrëdhënie.

EMISIONET