Pesë familje britanike kanë ngritur padi ndaj TikTok-ut për vdekjen e fëmijëve të tyre

Pesë familje britanike kanë ngritur padi ndaj TikTok-ut për

Pesë familje britanike kanë ngritur padi ndaj TikTok-ut për vdekjen e fëmijëve të tyre, në një çështje që konsiderohet historike dhe që po shqyrtohet në Shtetet e Bashkuara.

Prindërit, të cilët do të marrin pjesë në seancën dëgjimore që mbahet të premten në shtetin e Delaware-it, janë familjet e para nga Mbretëria e Bashkuar që ndjekin rrugën ligjore kundër kompanisë në një gjykatë amerikane, lidhur me vdekjen e fëmijëve të tyre.

Ellen Roome, Lisa Kenevan dhe Liam Walsh do të përfaqësojnë familjet në seancë. Zonja Roome deklaroi se “prindërit nuk duhet të kalojnë kontinente për të luftuar kompani shumëkombëshe teknologjike vetëm për të zbuluar çfarë ka ndodhur me fëmijën e tyre pas vdekjes.”

Padia pretendon se algoritmet e TikTok-ut kanë promovuar dhe përhapur përmbajtje të rrezikshme te fëmijët, përfshirë materiale të lidhura me të ashtuquajturën “Blackout Challenge”. Familjet besojnë se kjo përmbajtje ka kontribuar në vdekjen e fëmijëve të tyre dhe akuzojnë kompaninë se ka refuzuar vazhdimisht të publikojë të dhënat që do të ndihmonin në kuptimin e asaj që fëmijët panë në periudhën kritike para se të humbnin jetën.

Zonja Roome, e cila beson se djali i saj 14-vjeçar, Jools, vdiq pasi mori pjesë në një sfidë online në prill të vitit 2022, i kishte thënë më herët The Independent:
“Pas asaj që ndodhi, kam mësuar shumë për aktivitetin online, për të cilin më parë isha shumë naive. Mendoja se Jools thjesht shikonte video qesharake me vallëzime apo sfida të padëmshme. Tani e di që ekziston një sasi e madhe përmbajtjeje të dëmshme dhe të paligjshme. Ndryshimet në ligjin për sigurinë online nuk mund të vijnë mjaftueshëm shpejt. Nuk dua që asnjë familje tjetër të përjetojë atë që ne do të mbajmë mbi supe për gjithë jetën.”

Seanca e së premtes është një kërkesë për rrëzimin e padisë, një fazë vendimtare procedurale, pasi nëse dështon, çështja do të kalojë në fazën e “zbulimit”, ku TikTok-u mund të detyrohet ligjërisht të dorëzojë dokumente të brendshme dhe të dhëna nga llogaritë e fëmijëve.

Familjet thonë se, pavarësisht kërkesave të shumta, TikTok ende nuk u ka dhënë informacion mbi përmbajtjet që fëmijët panë përpara vdekjes së tyre. The Independent ka kontaktuar TikTok-un për koment.

Paralelisht me procesin gjyqësor në SHBA, zonja Roome po lobon në Mbretërinë e Bashkuar për “Ligjin e Jools”, një propozim që kërkon ruajtjen automatike të të dhënave online të një fëmije menjëherë pas vdekjes së tij, për të shmangur humbjen e provave të rëndësishme në fazat e hershme të hetimeve.

Një amendament për këtë propozim është paraqitur nga baronesha Beeban Kidron në Projektligjin për Krimin dhe Policimin, i cili aktualisht po shqyrtohet në parlament dhe pritet të debatohet në Dhomën e Lordëve më vonë këtë muaj.

Familjet e përshkruajnë këtë seancë si një “moment të rëndësishëm” për prindërit që kërkojnë të vërtetën, përgjegjësi dhe ndryshime sistemike, duke theksuar se çështja mund të krijojë një precedent të rëndësishëm për mënyrën se si kompanitë e rrjeteve sociale mbahen përgjegjëse për dëmet ndaj fëmijëve.

Rasti vjen në një kohë kur shqetësimi global mbi ndikimin e rrjeteve sociale të drejtuara nga algoritmet te fëmijët po rritet, ndërsa ligjvënësit në Mbretërinë e Bashkuar dhe më gjerë po shqyrtojnë rregulla më të forta dhe përgjegjësi më të madhe për gjigantët e teknologjisë. / E.K
Burimi: The Independet 

EMISIONET