Pas luftës me sëmundjen që i kufizonte këndimin, Céline Dion rikthehet në skenë pas 4 vitesh

Ylli i muzikës, Céline Dion, ka njoftuar rikthimin e saj në skenë, katër vjet pas diagnostikimit me Sindromën e Personit të Ngurtë (SPS).
Dion, e njohur për baladat e fuqishme si “My Heart Will Go O”n dhe “Because You Loved Me”, do të japë një seri koncertesh 10-ditore në Paris La Défense Arena, me kapacitet prej 40,000 vendesh, gjatë muajve shtator dhe tetor.
Njoftimi u bë në ditën e ditëlindjes së saj të 58-të. Në një mesazh në Instagram, Dion e quajti rikthimin “dhuratën më të bukur të jetës sime”.
“Jam gati për këtë,” u shpreh ajo ndaj fansave. “Ndjehem mirë, jam e fortë, jam e entuziazmuar dhe, natyrisht, pak nervoze.”
Dion, një nga artistet më të shiturat të të gjitha kohërave, nuk ka performuar live që nga koncerti në Newark, New Jersey më 8 mars 2020. Turneu i saj Courage u ndërpre për shkak të pandemisë Covid, ndërsa më pas Dion u detyrua të anulonte të gjitha shfaqjet e ardhshme për arsye shëndetësore.
Biletat për rikthimin e saj në skenë do të jenë në shitje nga 7 prilli, ndërsa fansat mund të regjistrojnë interesimin në faqen zyrtare të artistes që nga e marta, 31 mars. Planifikimi i rikthimit ishte shpërndarë fillimisht nga gazeta franko-kanadeze La Presse javën e kaluar. Pas këtij njoftimi, fansat vunë re posterë me vargjet e Dion që shfaqeshin në kryeqytetin francez.
Në mbrëmjen e së hënës, rreth orës 20:00 GMT, Kulla Eifel u ndriçua me mesazhin: “Paris, je suis prêt” (Paris, jam gati), ndërsa fansat dëgjuan një playlist me këngë si I’m Alive, Encore Un Soir dhe My Heart Will Go On.
Dion regjistroi gjithashtu një version në frëngjisht të mesazhit video që njoftonte turneun, i cili u transmetua përmes altoparlantëve ndërsa Kulla u ndriçua me drita të purpurt.
Sfida me lëvizjen dhe Sindroma e Personit të Ngurtë
Sindroma e Personit të Ngurtë (SPS) është një sëmundje neurologjike që shkakton spazma muskulore dhe mund të ndikojë në lëvizje. Ajo prek rreth 8,000 persona në mbarë botën dhe ndodh kur sinjalet nga nervat te muskujt nuk funksionojnë si duhet. Për disa, kjo gjendje mund të jetë shumë e rëndë, dhe aktualisht nuk ekziston kurë.
Dion njoftoi diagnostikimin e saj në dhjetor 2022, në një video emocionale në Instagram, duke thënë se sëmundja kishte prekur “çdo aspekt të jetës së saj të përditshme”.
Duke folur për BBC dy vjet më vonë, Dion tregoi se simptomat e SPS filluan të shfaqeshin gjatë turneut, kur zëri i saj po dobësohej.
“Ndjeja njëfarë shqetësimi, një spazëm të vogël. Zëri im po lodhej dhe po përpiqesha pak më shumë,” tha ajo.
Fillimisht ajo ndjeu se nuk mund të merrte pushim dhe eksperimentoi duke kënduar në një regjistër më të ulët për të lehtësuar stresin mbi kordet vokale.
Megjithatë, gjendja përkeqësohej, “ndonjëherë duke më vështirësuar ecjen dhe duke më penguar të përdor zërin tim ashtu siç isha mësuar,” tha ajo për NBC News. “Është sikur dikush të të shtrëngojë, sikur dikush të shtyp laringun/faringun.”
Dion vendosi të mos lejonte që SPS të dominojë jetën e saj. Në 2024, ajo tregoi për revistën French Vogue për përpjekjet intensive që kishte bërë për të luftuar sëmundjen.
“Si e shoh unë, kam dy zgjedhje. Ose trajnohem si një atlet dhe punoj shumë, ose ndaloj dhe mbaroi,” tha ajo.
“Kam zgjedhur të punoj me trupin dhe shpirtin tim, nga koka te këmbët, me një ekip mjekësor. Pesë ditë në javë kryej terapi atletike, fizike dhe vokale. Punoj mbi gishtërinjtë e këmbëve, gjunjët, viçat, gishtat, këndimin dhe zërin tim.”
Përpjekjet dhanë rezultat. Dion bëri një rikthim emocional në Lojërat Olimpike të Parisit 2024, duke kënduar klasiken e Edith Piaf, Hymne à l’Amour, nga Kulla Eifel. Kjo ishte gjithashtu kënga e parë që u luajt kur u njoftuan shfaqjet e saj të rikthimit në qytet.


