Një tropojan balerin në New York, Klevis Tafaj tregon kur pasioni thyen barrierat
Klevis Tafaj është balerini shqiptar që po vijon karrierën e tij në New York. Studenti i Shkollës së Baletit vendosi të sfidojë veten në skenat botërore.
Sfida e parë ishte në Itali
“Në skenat botërore e provon sa vlen. Arrita të fitoj një çmim të parë në San Marino ndër 500 balerinë. Kur më thanë se kishte fituar një bursë në SHBA ishte e pabesueshme. Një ëndërr. Për dy tre ditë nuk më besohej dhe e pyesja mamin nëse ishte e vërtetë", thotë balerini për emisionin Ditë e Re me moderatorë Arjon Muça dhe Arjola Shehu.
Nuk iu desh shumë kohë për tu dashuruar me New Yorkun, por iu desh shumë punë e vullnet.
“Në SHBA ishte tërësisht ndryshe dhe kisha shumë pikëpyetje dhe habi. Një muaj më pas thashë ky vend bën për mua. Meritokracia është e jashtëzakonshme. Nuk të pyet nga vjen. Nëse ke dëshirë e vullnet ecën para. Të tregojnë skenën. Por duhet të jesh gjithmonë në formë”
Karrierën ia dedikon familjes dhe babait në veçanti.
“Ishte viti 2004 dhe baleti nuk ka qenë shumë i përhapur, aq më tepër të mendoje një tropojan që merret me balet klasik. Babai kërkoi të më ndryshojë shkollën dhe më çoi në shkollën e baletit. Në fillim refuzova, duke menduar se çfarë do të thonin shokët e mi për mua. Pastaj vura një bast me babain. Nëse do të fitoja konkursin do më blinte një kompjuter” kujton Klevisi.
Tani është tërësisht ndryshe. Klevisi ka ardhur për disa ditë në Tiranë por do të kthehet sërish në New York për të vazhduar karrierën e tij si balerin.
Po një tropojan balerin në New York.
Dhe… Nëse ia del mbanë në New York ia del mbanë kudo.
