Nga Franca, në Londër e më pas në Kosovë, njihuni me sipërmarrësen që po korr sukses në gastronomi

Leonora Popaj një shqiptare e Kosovës, një sipërmarrëse e njohur në fushën e gastronomisë e ftuar në emisionin “Jeto me orën” na rrëfeu për artin e gastronomisë pasi sipas saj nuk është vetëm të hash por është një art që kushdo që e ushtron si profesion do e kuptojë. Prej vitesh jeton në Francë duke praktikuar edhe profesionin e saj.

Një nga sfidat e saj më të vështira ka qenë muaji i parë në Francë pasi u paraqit në një kuzhinë si një profesioniste kur ndërkohë ajo se kishte praktikuar kurrë. Po në muajin e parë Leonora u bë dhe menaxhere e restorantit ku punonte. Më pas ajo u largua nga Franca për në Londër, një vend i cili ishte i panjohur për të, por për fat të mirë gjuha franceze e ndihmoi që ajo të punonte në një restorant francez. Ajo rrëfeu se “Ajo që më pëlqen mua në Londër është se aty mund të gjesh çfarë do lloj kuzhine në krahasim me Francën, pasi aty është vështirë të gjesh lloje të ndryshme kuzhinash botërore”.

Veç kësaj në Angli ka qenë më e lehtë puna për Leonorën pasi ai vend i ofroi shumë mundësira. Një nga sfidat më të vështira në botën e gastronomisë për të ka qenë kur disa inspektorë erdhën në lokalin ku ajo punonte dhe nuk i tregoi stafit të saj për prezencën e tyre në restorant dhe ajo zgjodhi që pikërisht asaj tavoline ti shërbente një kamarier i sapo punësuar i cili i derdhi klientes gotën e verës.

Edhe pse kjo gjë ndodhi emri i restorantit nuk pati nam të keq. Ajo rrëfeu së “Edhe pse bota e gastronomisë të privon shumë nga jeta personale, kushdo që shkëputet prej saj do pendohet, pasi me kalimin e kohës të mungon”.

Leonora u shkëput nga profesioni i saj dhe u kthye në Kosovë, e më pas filloi ti mungonte dhe hapi një lokal të sajin, por qëlloi fatkeqe pasi ndodhi periudha e pandemisë dhe restoranti u mbyll. Veç kësaj edhe stafi nuk ishte shumë i kualifikuar pasi në Kosovë njerëzit nuk janë mësuar me dhe edukuar me artin e bukur të kuzhinës. Leonora shprehet se “ ndihem shumë me fat që kam punuar në këtë fushë pasi më ka bërë të ndihem e plotësuar dhe 8 orarshi më është dukur si gjysmë ore”.

Përveç se një kuzhiniere e njohur Leonora njihet si një grua shumë mendjehapur, duke thënë gjithmonë atë që mendon. Një nga deklaratat e saj të bujshme ka qenë se “Shqiptarët janë populli që e duan më së shumti se**in”, një deklaratë kjo që ka ngjallur shumë diskutime.  

EMISIONET