“Në krye të detyrës”/ Reperi tirons Doza Mc publikon albumin e 10-të. “Rrugëzgjidhja” dhe mesazhi që fshihet pas saj
Reperi shqiptar, Mario Dino, i njohur me emrin artistik “Doza Mc” publikoi këtë të mërkurë albumin e tij të 10-të të titulluar "Në krye të detyrës". Pjesë e tij janë 12 këngë.
I ftuar në "Why Not" ai zbuloi se nga u inspirua për ta "pagëzuar" me këtë titull albumin.
"Isha duke ecur në rrugë dhe kaluan disa zjarrfikës. I dëgjova gjatë një bashkëbisedimi që thanë "Ja këtu në krye të detyrës".Ditën tjetër dëgjova një tjetër person që tha të njëjtën gjë kur e përshëndeti dikush. Thashë kështu do ta quaj albumin se edhe unë jam tërë kohës në krye të detyrës kur krijoj muzikë, nuk kam ndaluar asnjëherë. Edhe për këngët më ndodh kjo. Ka pasur raste që mund të kem dalë nga shtëpia vetëm për të marrë frymëzim".
Ai shtoi se muzikën e ka pasion dhe mënyrë jetese që kur ishte 14 vjeç.
"Deri sot që jam 31 vjeç nuk kam bërë asnjë vit pauzë, kam prodhuar gjithmonë muzikë. E kam arsyen pse çohem në mëngjes nga krevati."
Përmes këngëve të tij ai prek realitetin, tema sociale të përditshmërisë tonë. Por reperi nga albumi i tij i fundit veçoi këngën numër 6 me titull "Rrugëzgjidhje".
"Është nga këngët më prekëse që kam krijuar deri sot. U drejtohet të gjithë njerëzve që ndoshta janë në një moment errësire në mendjen e tyre për tu thënë se ka dritë në fund të tunelit. Shpresoj tu shërbejë sa më shumë njerëzve që janë në një situatë të tillë."