Ndodh dhe kjo në Japoni/ Arrestohet se trembi një pëllumb: Shpendi pësoi shok traumatik

Që aktivistët po luftojnë për një botë ku të njihen të drejtat e kafshëve, ky tashmë nuk është lajm. Por që të arrestohesh, sepse ke trembur për vdekje një pëllumb, duhet ta pranojmë që është e pazakontë.
Pikërisht kjo ka ndodhur në kryeqytetin Japonez, Tokio. Një shofer taksie është arrestuar pasi i ka dhënë gaz makinës drejt një grupi pëllumbash të egër që qëndronin në rrugë, njëri prej të cilëve ngordhi.
Veterineri që kreu ekzaminim e shpendit përcaktoi se shkaku ishte shoku traumatik.
Incidenti u raportua nga një kalimtar i rastit, i cili dëshmoi se sapo semafori u bë jeshil, taksisti u nis me shpejtësi pa u munduar që t’i shmangë shpendët.
Duke pasur parasysh punën e tij si shofer profesionist, policia i përshkroi veprimet si “shumë keqdashëse”, dhe kjo i shtyu drejt arrestimit.
Por 50-vjeçari, ka argumentuar para oficerëve se rrugët janë për njerëzit, ndaj u takon pëllumbave të shmangin makinat. Raportimi i ngjarjes ka sjellë reagime të shumta nga përdoruesit e mediave sociale.
Pjesa më e madhe e dënojnë veprimin duke sugjeruar se taksisti mund t’i binte borisë për t’i shmangur, por ka dhe nga ata që e cilësojnë të tepërt arrestimin.
Ndërsa një numër i kufizuar i pëllumbave të gjahut mund të gjuhen legalisht në Japoni, ata që i përkasin grupimit të egër dhe urbanë, mund të vriten vetëm nëse janë një shqetësim i provuar, si përshembull shkaktimi i dëmeve në të mbjellat dhe bagëtitë, dhe kjo vetëm me miratimin e autoriteteve lokale



