Narcisti bashkëkohor nuk mbytet në ujë si ai i Mitologjisë, por në boshllëkun e mjaftueshmërisë së vetes

Miti i Narcisit mbetet një nga rrëfimet më të thella dhe më të errëta që njerëzimi ka trashëguar nga antikiteti. Ai nuk është vetëm një histori e bukurisë që shkatërron, por një alegori e pavdekshme e vetëdashurisë që humbet masën, e asaj magjie që e kthen njeriun nga përqafimi i botës në burgun e vetëvetes.
Narcisi, i bukuri i paepur që nuk mund të dashuronte askënd tjetër, endet nëpër pyll derisa ndesh imazhin e vet në një pasqyrë uji. Ai bie në dashuri me atë pamje, i magjepsur prej saj si nga një qenie tjetër, e paprekshme, e përkryer. Por ajo që ai adhuron është thjesht reflektimi i vetvetes, një iluzion që nuk mund të përgjigjet.
Në përpjekjen për ta zotëruar, ai hidhet në ujë dhe mbytet, duke u bërë një me imazhin e vet, por duke humbur ekzistencën reale.
Kështu, Narcisi nuk vdes nga dashuria, por nga pamundësia për të dalë nga vetja, nga paaftësia për të parë Tjetrin, për të pranuar që dashuria është gjithmonë një pasqyrim që kërkon dy sy, jo një.
Në leximin e Zigmund Freudit, narcisizmi është një proces i pandashëm nga ndërtimi i “Unë-it” njerëzor.
Freudi flet për narcisizmin primar, që i përket foshnjës, një fazë ku Unë-i ende nuk e njeh veten si të ndarë nga bota, ku gjithçka është “unë” dhe gjithçka i përket “meje”. Është një gjendje e lumturie e plotë, por edhe e rrezikshme, sepse mohon realitetin e Tjetrit, kufijtë, ndarjen, humbjen.
Në narcisizmin sekondar, që lind më vonë, njeriu fillon të ndërtojë një ekuilibër, mëson të dojë, të pranojë, të njohë veten në raport me të tjerët. Por ky ekuilibër është i brishtë, dhe çdo rikthim te vetë-admirimi absolut është një kthim pas, drejt një gjendjeje ku dashuria bëhet vetëkonsumim.
Freudi e kuptoi se narcisizmi është rreziku i brendshëm i dashurisë. Ajo mund të kthehet në një qark të mbyllur ku njeriu dashuron vetëm reflektimin e vet, duke humbur çdo kontakt me realitetin.
Jacques Lacan, me analizën e tij të thellë mbi “stadiumin e pasqyrës”, e përshkruan Narcisin si simbol të vetë-mosnjohjes.
Kur një fëmijë sheh për herë të parë veten në pasqyrë, ai përjeton një gëzim të madh. Beson se ka gjetur një “Unë” të plotë, të bashkuar, të qëndrueshëm. Por në të vërtetë, kjo është një iluzion, një imazh i jashtëm që e fsheh fragmentimin e brendshëm të psikikës.
Lacan e quan këtë “funksioni i mosnjohjes”, njeriu beson se është zot i vetes, pa të pavetëdijshme, pa humbje, pa tjetërsi.
Por ky besim është mashtrimi themelor i qenies njerëzore. Ne besojmë se jemi “një Unë”, ndërsa në të vërtetë jemi një pluralitet i brendshëm i dëshirave, kujtimeve, frikërave, boshllëqeve.
Pikërisht këtu qëndron rreziku i Narcisit modern, të jetosh nën besimin se je një imazh i përkryer, i mjaftueshëm, i padëmtueshëm. Një Unë që nuk ka nevojë për Tjetrin, për dashuri, për lidhje, për dritën e tjetrit.
Kjo është vetmia e epokës sonë, ajo që rrjetet sociale e bëjnë më të ndritshme se kurrë, njeriu që ndjek, adhuron dhe mat vetëm reflektimin e vet, i humbur në pasqyrën e ekranit.
Nëse dikur Narcisi pa veten në një burim uji, sot ai e sheh veten në ekran. Ai nuk bie më në ujë për të vdekur, por mbytet në virtualitet. Ai ushqehet me imazhin e vet të përpunuar, të filtruar, të idealizuar, derisa harron trupin, frymën, Tjetrin.
Ky është narcisizmi i ri, që nuk kërkon më dashuri, por miratim. Nuk kërkon më intimitet, por vështrim. Nuk kërkon lidhje, por reflektim.
Kështu, miti i vjetër merr një formë të re. Narcisi bashkëkohor nuk vdes nga ujët, por nga boshllëku; nuk mbytet në pasqyrë, por në pamje; nuk dashuron, por projekton.
Në këtë kuptim, psikanaliza dhe etika takohen: ajo që humb Narcisi nuk është vetëm jeta, por marrëdhënia me tjetrin, dhe me vetë njeriun brenda tij.
Miti i Narcisit është një paralajmërim: kush dashuron vetëm veten, pushon së jetuari.
Në pamjen e vet të pasqyruar, ai kërkon përjetësinë, por gjen harresën; kërkon plotësinë, por gjen zbrazëtinë.
Freudi e pa këtë si kthim në origjinën e pavetëdijshme, ndërsa Lacan si mohim i Tjetrit, por në thelb është i njëjti akt: mbyllja e shpirtit brenda vetes, deri në vetëshkatërrim.
Në fund, vetëm dashuria që del jashtë vetes, ajo që pranon pasigurinë, ndryshimin, humbjen, mund ta shpëtojë njeriun nga pasqyra e vet. Sepse njeriu që nuk sheh më asgjë përtej reflektimit të vet, nuk sheh më as veten.



