“Mos i lini pa prerë!”/ Olti Shulla zbulon sekretin që i bën flokët të rriten më shpejt dhe më të shëndetshëm
I ftuar në studion e Ora News ishte makeup artisti Olti Shulla, i cili foli për kujdesin ndaj flokëve dhe tendencat më të fundit për sezonin veror.
Ai shpjegoi se dëshira për flokë të gjatë mbetet shumë e fortë, por shpesh shoqërohet me kujdes të gabuar. Sipas tij, shumë vajza shmangin prerjen, duke menduar se kështu ruajnë gjatësinë, por në realitet ndodh e kundërta.
“Nëse i pret flokët çdo dy muaj e gjysmë nga 1 centimetër, ato rriten më shpejt dhe më të shëndetshëm, sepse në atë kohë floku rritet mbi 2.5 centimetra.”-tha ai.
Ai shpjegoi se majat e dëmtuara këputen vetë dhe e bëjnë flokun të duket më i shkurtër, edhe kur nuk pritet fare. Për këtë arsye, prerja e rregullt shihet si mënyra më e thjeshtë për ta mbajtur flokun të fortë dhe të bukur.
Në lidhje me stilin, ai foli për një rikthim të qartë drejt natyrales. Modelet me shkallëzim të lehtë dhe flokë të gjatë dominojnë, duke lënë pas prerjet e theksuara dhe format ekstreme.
“Eleganca është te flokët e gjatë me shkallëzim të mesëm. Jo çdo model i shkon çdo njeriu, duhet të përshtatet me karakterin dhe tiparet.”-shpjegoi Shulla.
Për ngjyrat, trendi kryesor mbetet natyraliteti. Nuancat e forta janë zëvendësuar nga kombinime më të buta, si kafe me fije mjalti apo bakri.
Balayage dhe fijet e lehta krijojnë një pamje më të freskët dhe më të re, pa e rënduar flokun.
Në fund, mesazhi ishte i thjeshtë: flokët e gjatë nuk mjaftojnë të jenë vetëm të gjatë, por duhet të jenë të mirëmbajtur. Prerja e rregullt dhe zgjedhja e duhur e ngjyrës bëjnë diferencën.
NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS:


