“Mos blini shumë rroba”, stilistja: Nuk ka rëndësi të dukemi ndryshe, por të dukemi mirë
E ftuar në emisionin “Jeto me Orën”, në RTV Ora, stilistja e njohur Katerina Zoto teksa foli për veshjet e ricikluara, u ndal edhe në trendin e blerjeve.
Sipas saj, blerjet “shumë e për lumë”, nuk kanë vlerë, teksa shtoi se nëse blejmë më pak, kemi mundësi të kemi cilësi më të mirë dhe pse jo edhe mundësinë e riciklimit.
“Duhet të kemi kujdes që në momentin e parë që blejmë një veshje. E mira është të mos blejmë “shumë e për lumë”, ato nuk vlejnë as për t’u ricikluar. Duke blerë pak veshje, të sakta, ato do kenë materiale më cilësore. Këto veshje mund t’i ruajmë për t’i sjellë në forma të ndryshme. Kështu, këshilla ime është “hiqni dorë nga blerjet e shumta, për t’u dukur ndryshe, sepse nuk është me rëndësi të dukemi ndryshe, por mirë.”- tha ajo.

