MONOLOGU/ Ankohemi kaq shumë… por harrojmë të falënderojmë për gjërat e thjeshta

MONOLOGU/ Ankohemi kaq shumë… por harrojmë të

Monolog nga Bes Kallaku

Ndonjëherë kam përshtypjen se shumë prej nesh kujtojnë se do të rrojnë… 700 vjet.

Shoh njerëz që vrapojnë të marrin, grumbullojnë, vjedhin e abuzojnë. Ndërtojnë pasuri mbi pasuri, por nuk pasurojnë jetën e tyre as të askujt tjetër. Ndoshta mendojnë se paraja do t’i bëjë të pavdekshëm?

Kemi një shprehje ne që thotë: “Asgjë nuk marrim me vete, në fund të gjithë 2 metra vend zëmë.” Por pse më duket se askush nuk e ka dëgjuar?

Ju do të thoni: “Ka njerëz që kanë piramida, apo mauzoleume, apo varre me kupola e me statuja.”

Po, por ato janë për të gënjyer të gjallët, sepse ai poshtë vetëm 2 metra tokë ka. Edhe nëse e vesh varrin me ar, ti poshtë je njësoj si të gjithë.

Sa njerëz ka të kapur pas pengjeve të së djeshmes? E mbushin shpirtin me mërzi e maraz: “Se ky…”, “Se ajo…”, “Si e bëra atë gabim…” Jetojnë vetëm në të djeshmen.

MONOLOGU/ Ankohemi kaq shumë… por harrojmë të

Një pjesë tjetër jeton vetëm duke bërë plane… për nesër, për pas një muaji, për pas 10 vjetësh. “Kur të vijë vera…”, “kur të martohet djali…”, “kur të mbledh lekë…” Jetojnë në të ardhmen.

Të gjithë këta humbin momentin më të rëndësishëm: atë që ndodh sot, këtu, tani. E vetmja kohë që ka rëndësi.

Pastaj shoh njerëz që u duket vetja shumë të rëndësishëm. Kanë në dorë jetën e dikujt, rrogën e dikujt, dhe kjo i bën të ndihen të gjithëpushtetshëm. U duket se ata janë në majë e të tjerët poshtë. Mendojnë se bota rrotullohet rreth tyre.

Ankohemi kaq shumë – dakord, shpesh me të drejtë – por harrojmë të falënderojmë për gjërat e thjeshta. Sa herë hap sytë në mëngjes… a nuk të duket lajm i mirë që je gjallë? A nuk mjafton kaq për të qenë falënderues? Por jo, jemi shumë të zënë duke u ankuar për trafikun, për qeverinë, për motin.

Nëse ke një baba që të merr në telefon, je i bekuar.

Nëse ke një nënë, një mama që të merr në telefon, je i bekuar.

Nëse ke vëllezër e motra që të shkruajnë budalliqe, prapë je i bekuar.

Nëse ke shokë apo miq që të marrin dhe të pyesin “Si je?”, nëse ke dikë që lutet për ty, je i bekuar.

Nëse ke dikë që të thotë “Më bëj telefon kur të arrish në shtëpi”, je shumë i bekuar.

Një ditë secili prej tyre s’do të jetë aty.

A e harrojmë se dikë që mund ta takojmë sot, mund të jetë hera e fundit që e shohim? Ose me dikë që telefonohemi, mund të jetë hera e fundit që i dëgjojmë zërin. Jeta është e padrejtë; e harrojmë. Harrojmë sa të përkohshëm jemi.

Harrojmë sa falënderues duhet të jemi për të sotmen. Çdo ditë e re është një bekim.

Niseni ditën me një falënderim dhe mbylleni me një lutje.

EMISIONET