Mjeshtri i xhazit në Shqipëri, Sokol Sejdo rrëfen si lindi pasioni për muzikën
Ai u rrit midis artit dhe mjekësisë. Në moshë fare të vogël zbuloi pasionin për muzikën, një pasion që do ta udhëhiqte kudo. I ftuar ditën e sotme në studion e “Jeto me Orën” Sokol Sejdo tregoi për karrierën e tij të gjatë dhe planet për të ardhmen. Sejdo tregoi se ai e ka nisur me muzikë klasike.
“Fillimet e mija ishin në klasike, filloren e kam bërë për piano e më pas kam vijuar për klasike. Më vonë fillova Jazz. Kur isha i vogël më vinin notat shumë natyrshëm” u shpreh Sejdo.
Sejdo i ka bazuar performancat e tij në stilin e xhazit të viteve 1930, Swing dhe Jazz standard. Ai tregoi edhe disa nga emocionet e tij më të bukura në skenë.
“Kontakti i parë me skenën ka qenë që kur isha në klasë të parë dhe nuk di kë të lë e kë të mbaj mend nga këto çaste. Por në Akademin e Arteve në një bashkëpunim me vëllezërit tanë kosovarë, mendova të fusja një pjesë të muzikës shqiptare në një pjesë jazz dhe takova Krajkën dhe ja tregova të gjitha detajet. Dhe nga ato që i thashë jo vetëm e pranoi por edhe më tha që do ishte në skenë të na ndiqte. Kur erdhi e ka pëlqyer aq shumë sa më dhuroj dhe lule dhe më falenderoj” u shpreh Sejdo.
Por sa pëlqehet kjo rrymë nga shqiptarët, profesori tregoi se ka një histori të tërë për jazzin në Shqipëri prej vitesh. Sejdo aktualisht punon si profesor klarinete në liceun artistik “Jordan Misja”.
Sejdo është kompozitori i albumit të parë të saksofonit në Shqipëri, i quajtur “Njolla e bardhë”. Në studio u shfaqen edhe disa nga koncertet më të njohura të Sokol Sejdos ku edhe vetë profesori u emocionua. Sa për muzikën e sotme ai tregoi se muzika ka devijuar shumë dhe për këtë ndjen keqardhje.
“Ka filluar një mos kontroll në tekste në muzikë në filtrate që ka muzika. Çdo fushë ka rregullat e saj siç ka regjia skenari ashtu edhe muzika, por aktualisht janë shkelur rregullat. Në videot e tyre paraqiten armë, fjalë të rënda por nuk është ky arti” u shpreh profesori Sejdo.
Ai në përfundim bëri edhe një thirrje për të gjithë që t’i japin më tepër fokus artit të vërtet.


