Metoda 100-vjeçare e mësimdhënies që po jep rezultate më të mira se kopshtet moderne

Metoda 100-vjeçare e mësimdhënies që po jep rezultate

Një studim i ri kombëtar tregon se një metodë mësimdhënieje 100-vjeçare po i tejkalon kopshtet moderne dhe po kushton dukshëm më pak. Vlerësimi i parë i rastësishëm në shkallë kombëtare për programet publike Montessori zbuloi se fëmijët që ndoqën këto kopshte shënuan rezultate më të larta në lexim, memorie dhe funksione ekzekutive deri në fund të kopshtit, krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në programe tradicionale.

Studiues nga Universiteti i Virxhinias, Universiteti i Pensilvanisë dhe Instituti Amerikan për Kërkime ndoqën 588 fëmijë në 24 programe publike Montesori. Studimi, i botuar në Proceedings of the National Academy of Sciences, tregon se nxënësit e Montesorit jo vetëm arritën rezultate më të mira njohëse dhe akademike, por edhe me kosto më të ulët: rreth 13,000 dollarë kursim për fëmijë gjatë tre viteve nga mosha 3–6. Këto ulje vinin kryesisht nga strukturat më efikase të klasave dhe grupmoshat e përziera që u lejojnë fëmijëve të mësojnë në mënyrë të pavarur dhe nga njëri-tjetri.

Ndryshe nga programet e zakonshme parashkollore, rezultatet e të cilave shpesh zbehen deri në fund të kopshtit, përfitimet e fëmijëve të Montesorit u rritën me kalimin e kohës. Efektet më të forta u vunë re tek fëmijët nga familjet me të ardhura më të ulëta, megjithëse të gjitha grupet përfituan.

Ekspertët thonë se gjetjet konfirmojnë atë që Maria Montesori theksonte një shekull më parë: fëmijët lulëzojnë kur u besohet të mësojnë me kureshtje, qëllim dhe pavarësi. Studimi është veçanërisht i vlefshëm për politikëbërësit, sidomos në kohë me mungesa buxheti. Të dhënat e mëparshme tregojnë se mësuesit e Montesorit raportojnë kënaqësi më të lartë në punë dhe më pak largime, gjë që mund të sjellë edhe kursime afatgjata.

Sot, mbi 600 shkolla publike në SHBA ofrojnë arsim Montessori. Sipas studiuesve, rezultatet tregojnë se modeli 100-vjeçar mbetet një nga qasjet më efektive dhe me kosto të ulët për arsimin e hershëm.

EMISIONET