MES VARFËRISË DHE HARRESËS! Familja Gjoni në Kurbin nga banesa e shkatërruar nga tërmeti apelon për ndihmë
Në fshatin Gorre të Kurbinit, familja Gjoni përballet çdo ditë me varfëri dhe kushte të rënda jetese. Pas tërmetit të vitit 2019, banesa e tyre është e pabanueshme. Por varfëria dhe kushtet e jetesës janë vetëm një pjesë e problemeve të tyre. Dy prej fëmijë kanë probleme të rënda shëndetësore
Të harruar prej vitesh, familja Gjoni në fshatin Gorre të Kurbinit jeton mes varfërisë dhe kushteve të rënda.
Në një banesë të shkatërruar nga tërmeti i vitit 2019, sot strehohen 6 anëtarë të familjes së Kastriot Gjonit. Shtëpia e tyre është kthyer e pabanueshme, e mbuluar nga lagështira dhe e rrezikshme për jetesë.
Situata rëndohet edhe më shumë nga problemet shëndetësore. Djali i familjes vuan nga një sëmundje që i ka penguar ecjen. Ndërsa gjyshja e tij përballet me gjendje të rënduar shëndetësore. Vajza tjetër ka probleme serioze me shikimin, duke mos pasur mundësi për mjekim.
Me lot në sy, vajzat e familjes Gjoni bëjnë thirrje për ndihmë, ndërsa jetesa e familjes mbështetet vetëm tek pensioni i djalit invalid dhe gjyshes 85-vjeçare.
Nënës së tre fëmijëve i mungon çdo mbështetje, ndërsa vajzat e saj kanë lënë mënjanë edhe ëndrrat për shkollim për shkak të varfërisë.
Familja bën apel për ndihmë, duke kërkuar ndërhyrjen e Bashkisë së Kurbinit dhe institucioneve përgjegjëse për rikonstruksionin e banesës, në mënyrë që edhe ata të kenë mundësinë të jetojnë si gjithë të tjerët.

