Më mirë një shok qen apo një qen shok? Marrëdhënia kafshë-njeri po merr dimensione të reja
Raportet humane dhe ato me kafshët shpesh zëvendësojnë njëra-tjetrën. Por duket se bota po e vë çdo ditë marrëdhënien me kafshët në vend të parë. Për të folur për këtë marrëdhënie, sociologia Entela Binjaku ishte në studion e emisionit “Jeto me Orën” në RTV Ora. Ajo tha se vitet e fundit është vënë më në dukje marrëdhënia e njerëzve me kafshët.
Sipas saj, kjo marrëdhënie po ridimensionohet, duke shtuar se shpesh dashuria për kafshët shprehet në mënyra të ekzagjëruara.
“Këto vitet e fundit kemi filluar ta vëmë më në dukje raportin me kafshët. Kujtojmë sa shumë shprehje kemi ne me kuptim pezhorativ, “ik o qen, surratqen, qen bir qeni, etj. Sot afeksioni dhe marrëdhënia e re me kafshët po ridimensionohet. Sot nuk është më tabu të shkojmë me pushime dhe të marrim qenin me vete, apo të lëmë dikë me qenin në shtëpi.
Recetat për dashurinë dhe vlerësimin nuk ka. Nuk themi dot se marrëdhënia duhet kështu apo ashtu. Ka njerëz që disa herë e kalojnë fillin e hollë dhe e shprehin dashurinë për kafshët shtëpiake në mënyra të tepruara. Më parë ata që kishin dashuri të tepruar për kafshët, viheshin në lojë.
Kemi parë raste, sidomos në pandemi kur të zotët ishin në spital dhe kafshët prisnin te dera, me plot dashuri. Kafsha jep dashuri pa kushte dhe njeriu ka nevojë për këtë gjë.
Ka njerëz që kafshët i quajnë anti-stres e disa të tjerë e quajnë kafshën edhe si pjesëtar të familjes.
Ne si shoqëri nuk jemi mësuar ta artikulojmë me zë të lartë vetminë. Shumë kanë frikën se stigmatizohen për vetminë që janë duke përjetuar. Një arsye është largimi i njerëzve të dashur, dalja nga tregu i punës është një tjetër. Ka dhe njerëz që kalojnë çrregullime të shëndetit mendor. Përsa i përket fëmijëve, fakti që lidhen me objekte teknologjike, i largon ata nga marrëdhëniet me njerëzit. Prindërit kanë një detyrë të madhe në këtë pjesë. Duhet të jenë model për fëmijët. Dhe jo gjithmonë janë modelet më të mira.”, tha ajo.


