KUJDES ME ALKOOLIN! Në festat e fundvitit, rritje të rasteve të helmimeve në toksikologji Mjeku jep “recetat”
Me afrimin e festave, shërbimi i toksikologjisë është në gatishmëri për të trajtuar rastet urgjente nga helmimet me alkool dhe përdorimi i drogave. Sipas mjekut toksikolog Andrin Tahiri, më të ekspozuar janë të rinjtë, ndërsa periudha festive shoqërohet me rritje të intoksikacioneve akute.
Me afrimin e festave të fundvitit, shërbimi i Toksikologjisë po përgatitet për një rritje të fluksit të pacientëve që kërkojnë ndihmë urgjente.
Sipas mjekëve, kjo periudhë shoqërohet çdo vit me raste të shtuara të helmimeve, kryesisht nga konsumimi i tepruar i alkoolit dhe përdorimi i lëndëve narkotike.
Mjeku toksikolog Andrin Tahiri, thotë se më të ekspozuarit ndaj këtyre situatave janë të rinjtë, të cilët shpesh nuk i vlerësojnë pasojat afatgjata që mund të sjellë konsumimi i alkoolit apo drogave.
Sa i përket trendit për vitin 2025, mjeku thekson se ndryshe nga vitet e mëparshme, pas periudhës së pandemisë COVID-19, fluksi i rasteve nuk ka qenë në nivelet e dikurshme, megjithatë festat mbeten një periudhë me rrezik të shtuar.
Mjekët bëjnë apel për kujdes të shtuar, veçanërisht tek të rinjtë, ku pragu i moshës së pacientëve që paraqiten me intoksikacione nis nga 16 vjeç dhe shkon kryesisht mbi 18, 19 dhe 20 vjeç, të cilët përbëjnë edhe pjesën më të madhe të rasteve të trajtuara.


